Duhet pullë apostille për certifikatat shqiptare që paraqiten në konsullatat shqiptare? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Kërkoja një nulla osta për martesë në zyrën konsullore të Ambasadës e, veç të tjerash, më thanë që të sjell nga Shqipëria dy certifikata të legalizuara me vulë apostille në ministrinë e Jashtme. A është e vërtetë që duhet të legalizohen kështu dokumentet shqiptare që paraqiten në konsullatë?

Romë, 8 korrik 2016 – Sipas Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961, vula apostille është një lloj legalizimi që u bëhet dokumenteve të prodhuara nga administrata shtetërore e një vendi nënshkrues në mënyrë që ato të njihen drejtpërdrejt nga administrata e një tjetër vendi tjetër pa qenë nevoja që dokumentet të legalizohen në përfaqësinë konsullore të vendit të dytë në të parin.

Në rastin e Shqipërisë dhe Italisë, prej disa vjetësh tashmë (nga 26 maji 2011), dokumentet shqiptare të legalizuara me vulë Apostille të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë janë drejtpërdrejt të përdorshme pranë administratës në Itali pa qenë e nevojshme të legalizohen më parë pranë përfaqësisë konsullore italiane në Shqipëri dhe anasjelltas.

Por kur është fjala që një dokument shqiptar të paraqitet në përfaqësinë konsullore shqiptare, nuk ka nevojë që ai të legalizohet me vulë apostille në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, pasi bëhet fjalë për përdorim të dokumentit gjithnjë pranë administratës shtetërore shqiptare. Në rastin konkret, çdo certifikatë e marrë pranë një zyre të gjendjes civile shqiptare mjafton të vuloset nga Prefektura e qytetit ku është lëshuar për të qenë e vlefshme edhe në konsullatën shqiptare. Vetëm leja për martesë që lëshon më pas konsullata shqiptare duhet legalizuar në Prefekturën italiane para se ajo të paraqitet në komunën italiane.

Për më tepër, kjo thuhet edhe në informacionet që ministria e Jashtme e Shqipërisë jep mbi lëshimin e lejes për martesë (fjalia e fundit e paragrafit të dytë) nga konsullatat shqiptare në Itali. Çdo kërkesë për legalizim të certifikatave shqiptare me vulë apostille pranë ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, e pretenduar qoftë edhe nga punonjës të konsullatave shqiptare, nuk është i ligjshëm. Në rastin më të mirë, është mosnjohje e ligjit, në rastin më të keq, abuzim i pastër me emigrantët të cilëve u kërkohet një sorollatje dhe shpenzim i panevojshëm.

Shqiptari i Italisë