Jam student. Mund të regjistrohem në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Do përtërij lejen e qëndrimit për studime. Mes dokumenteve, më kanë kërkuar edhe një sigurim shëndetësor që më ka skaduar. Në vend të sigurimit mund të regjistrohem në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar?

Për të kërkuar lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit për studime, kërkuesi duhet të dëshmojë se ka një sigurim shëndetësor që ta sigurojë në rast sëmundjeje, fatkeqësie apo shtatzënie. Kjo kërkohet në mënyrë që student i huaj të mos rëndojë mbi Shërbimin Shëndetësor Kombëtar Italian (SSN) pa dhënë asnjë kontribut në shpenzimet për shëndetësinë. Në rast se përfiton nga shërbimet shëndetësore përmes SSN-së, pa qenë i regjistruar, ashtu si çdo i paregjistruar, edhe studenti i huaj duhet të paguajë tarifat e përcaktuara nga Krahina e Provinca kompetente.

I huaji titullar i një lejeje qëndrimi për studime që dëshiron të përfitojë nga SSN mund të regjistrohet në mënyrë vullnetare duke derdhur kontributin e kërkuar nga autoritetet e shëndetësisë. Derdhja e shumës bëhet përmes një llogarie rrjedhëse postare ose me modelin F24 të caktuar nga Krahina apo Provinca ku është resident apo ka vendbanimin i interesuari.

Duhet mbajtur parasysh që regjistrimi vullnetar i referohet vitit, nga 1 janari deri më 31 dhjetor. Kjo do të thotë që pavarësisht periudhës së vitit kur i huaji bën regjistrimin, shuma që paguan është e njëjta dhe deri në fund të atij viti, pasi është e pamundur të paguash vetëm një pjesë të vitit dhe sigurimi nuk ka efekte mbrapavepruese.

Për studentin pa familjarë në ngarkim e që nuk ka të ardhura të tjera veç atyre që i vijnë nga ndonjë bursë e mundshme studimi, shuma që duhet paguar është 149,77 euro në vit. Për studentin me familjarë në ngarkim (p.sh. bashkëshorte apo bij) me qëndrim të rregullt në Itali, shuma llogaritet në bazë të të ardhurave dhe, gjithsesi, nuk mund të jetë më e ulët se 387,34 euro.

I huaji i regjistruar në SSN, rezulton në listat e pacientëve të ASL-it (ndërmarrja shëndetësore lokale) të zonës ku jeton, e bashkë me të edhe të gjithë familjarët që ai ka në ngarkim të regjistruar. Në rast të ndryshimit të rezidencës, i interesuari duhet t’ia komunikojë ASL-it, në mënyrë që të përfitojë nga Shërbimi shëndetësor edhe në vendbanimin e ri. Kush është i regjistruar mund të përfitojë shërbimin shëndetësor me pagesën e të ashtuquajturit ticket që ndryshon në bazë të disa kushteve dhe të të ardhurave.

Me pak fjalë, për të përmbushur kriterin e sigurimit mjekësor, për përtëritjen e lejes së qëndrimit për studime, i huaji ka dy mundësi zgjedhjeje:

1. Të lidhë një sigurim privat të vlefshëm në territorin Italian, me një institut italian apo të huaj, që ta mbulojë në rast sëmundjeje, fatkeqësie apo shtatzënie, të vlefshëm për të gjithë periudhën e qëndrimi;

2. Të regjistrohet në mënyrë vullnetare në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar italian.

Maria Elena Arguello/stranieriinitalia.it