Kthehem në Atdhe. A mund të marr kontributet që kam derdhur deri tani? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Pas shumë vitesh në Itali kam vendosur të kthehem përfundimisht në Atdhe. A mund të marr të gjitha kontributet që kam derdhur në INPS?

Romë, 11 prill 2016 – Punonjësit jokomunitarë që kthehen në Vendlindje nuk mund t’i kërkojnë INPS-it që t’u kthehen kontributet e derdhura në Itali, por ruajnë të drejtat e pensionit dhe të sigurisë shoqërore të arritura deri në atë çast, pavarësisht faktit nëse ekziston apo jo një marrëveshje mes Italisë dhe vendit të tij.

Kjo do të thotë që, pavarësisht nëse ka apo jo një marrëveshje dypalëshe mes dy vendeve mbi të drejtat e pensionit e sigurinë sociale, punonjësit që kthehen në vendin e tyre, kur mbushin moshën 66 vjeç e 3 muaj, kanë të drejtë të kërkojnë pensionin italian, edhe kur nuk përmbushin kriterin e të paktën 5 vjetëve derdhje kontributesh të parashikuar nga ligji 335/95.

Me mbushjen e moshës, i huaji duhet t’i paraqesë kërkesë INPS-it që t’i japë çfarë i takon, çdo muaj apo çdo gjashtë muaj nëse shuma është shumë e vogël.

Në rast se Italia ka një marrëveshje dypalëshe mbi të drejtën e pensionit dhe sigurinë sociale me vendlindjen (e fatkeqësisht nuk është rasti i Shqipërisë), punonjësi që kthehet në Atdhe para mbushjes së moshës së pensionit, mund të kërkojë njohjen në vendin e tij të kontributeve të derdhura në Itali. Kjo do të thotë që punonjësit do t’i njihen edhe kontributet e derdhura në Itali, por pensioni do t’i jepet në atdhe sipas legjislacionit kombëtar.  

Ajo që shqiptarët e Italisë kërkojnë që të arrihet është pikërisht një marrëveshje dypalëshe në mënyrë që vjetërsia kontributive në Shqipëri të mund të mblidhet me ato të Italisë, në mënyrë që në moshë të thyer, pas një jete punë, emigrantët të kenë një pension dinjitoz për të gjitha vitet e punës të marra së bashku.

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)