Kush i lëshon shtëpinë me qira një imigranti, duhet të lajmërojë Policinë? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Sapo i kam dhënë me qira një apartament një qytetari të huaj. Kontratën e kam regjistruar në mënyrë të rregullt në Agjencinë e Tatim-taksave. Duhet të lajmëroj në  Kesturë për lëshimin e banesës (cessione di fabbricato)?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje varet nga shtetësia e të huajit të cilit i lëshohet shtëpia me qira. Sipas dekretit  79/2012, i konvertuar në ligjin nr. 131/2012, regjistrimi i detyrueshëm i kontratës së qirasë (por edhe e shitblerjes së banesës) pranë Agjencisë së Tatim-taksave (Agenzia delle Entrate), përmbush edhe detyrimin e lajmërimit të lëshimit të banesës (cessione di fabbricato). Por kjo vlen vetëm në rast se qiramarrësi apo blerësi është qytetar italian apo i një vendi anëtar të BE-së. Nëse qiramarrësi apo blerësi është jokomunitar, detyrimi i komunikimit të lëshimit të banesës pranë Kuesturës mbetet në fuqi sepse parashikohet nga Teksti Unik mbi imigracionin.

Në fakt, sipas nenit 7 të dekretit legjislativ 286/1998: “Kushdo që i jep strehim, i lejon përdorimin e pronave të veta të patundshme në territorin italian apo merr në shtëpi të vet një të huaj apo një të paatdhe, edhe nëse ky është familjar, është i detyruar të lajmërojë me shkrim, brenda 48 orëve, autoritetet lokale të sigurisë publike”.

Lajmërimi i lëshimit të banesës bëhet në Kuesturë apo në Komisariat. Në formularin me të cilin jepet lajmërimi shënohen të dhënat e pronarit dhe të qiramarrësit. Kur shkohet në Kuesturë apo në Komisariat duhen pasur me vete edhe “kontrata e regjistruar në Agjencinë e Tatim-taksave dhe dokumentet e të dyve” siç shkruhet në dsjtine Policisë së Shtetit. Për kë nuk bën këtë deklarim parashikohet sanksion që shkon nga 160 deri në 1.100 €.

Për më tepër, deklarata e “lëshimit të banesës” e bërë në favor të shtetasit jokomunitar i lejon këtij të fundit të ketë një dokument që dëshmon se ka strehim, gjë që i kërkohet në rastin e lëshimit apo të përtëritjes së lejes së qëndrimit.

Shkarko formularin për lajmërimin e lëshimit të banesës

Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com

In italiano: Chi affitta casa a un immigrato deve dirlo alla Polizia?