Mbaj në shtëpi një të huaj klandestin, çfarë rrezikoj? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet

Këto ditë kam në shtëpi një mik pa lejeqëndrimi. Nëse e zbulojnë rrezikoj edhe unë? Çfarë?

Sipas ligjit mund të qëndrojnë në territorin italian vetëm të huajt që kanë hyrë rregullisht më vizë dhe që kanë leje qëndrimi të vlefshme, apo që kanë kuponin postar që vërteton se kanë kërkuar lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit.

Nga 8 gushti 2009, me të ashtuquajturën ‘paketë të sigurisë’ është futur vepra penale e hyrjes dhe e qëndrimit të parregullt në territorin e Shtetit italian. Kështu që kush hyn apo qëndron në mënyrë të paligjshme në Itali kryen veprën penale të emigracionit klandestin, të dënueshme me një gjobë nga 5.000 deri në 10.000 euro. Por edhe kush mban në shtëpi një të huaj pa leje qëndrimi mund të ketë probleme.

Sipas tekstit unik mbi imigracionin (neni 7 D. Lgs. Nr. 286/98), “kushdo, që i jep strehim apo mban si mik në shtëpi një të huaj apo të paatdhe, edhe nëse është i afërm, apo i lë në përdorim atij pronën e patundshme, në fshat apo në qytet, në brendësi të territorit italian, duhet t’ia komunikojë këtë fakt me shkrim, brenda 48 orëve, autoriteteve të sigurisë publike”.

Pra, kushdo që mban në shtëpi të tij një shtetas të huaj jokomunitar duhet të paraqesë një deklaratë bujtjeje në komisariat. Është një deklaratë që përmban të dhënat personale të të zotit të shtëpisë dhe të mysafirit, numrin dhe datën e skadencës së pasaportës, adresën e saktë që është vënë në dispozicion të të huajit.

Ndodh që në rast kur mbahet në shtëpi një person pa leje qëndrimi, vendoset të mos përmbushet ky detyrim ligjor për të mos i hapur telashe mysafiri. Në këtë rast, i zoti i shtëpisë që nuk komunikon praninë në shtëpinë e tij të të huajit rrezikon sanksionin administrativ, një gjobë që shkon nga 160 deri në 1.100 euro.

Avv. Mariangela Lioy