Mund të kërkohet rezidenca pa pasur akoma lejen e qëndrimit? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Sapo kam ardhur në Itali me bashkim familjar e jam në pritje të lejeqëndrimit. Mund të regjistrohem që tani në zyrën e Gjendjes Civile të komunës e të marr rezdencën?

Romë, 3 nëntor 2016 – Në përgjithësi, për të kërkuar rezidencën pranë Komunës në të cilën i huaji banon, nevojitet që ai të ketë një leje qëndrimi të vlefshme. Por ekzisstojnë raste kur qytetari jokomunitar mund të bëjë regjistrimin në regjistrin e popullsisë së komunës edhe përpara se t’i lëshohet leja e qëndrimit.

Kush është në pritje të përtëritjes së lejes së qëndrimit mund të kërkojë regjistrimin në zyrën e Gjendjes Civile duke treguar fotokopjen e lejeqëndrimit të vjetër dhe kuponin që dëshmon paraqitjen e kërkesës së përtëritjes, me kusht që kërkesa e përtëritjes të jetë paraqitur përpara përfundimit të afatit të lejes ose brenda gjashtëdhjetë ditëve nga data e skadimit.

Edhe kush ka ardhur në Itali me vizë për punë të varur dhe ka nënshkruar në Sportelin Unik për Imigracionin kontratën e qëndrimit, mund të paraqesë kërkesë për regjistrimin në zyrën e Gjendjes Civile pa pasur akoma lejeqëndrimin në dorë. Në këto raste është e nevojshme t'u tregohet punonjësve të Zyrës së Gjendjes Civile një fotokopje e kontratës së qëndrimit, e nënshkruar në Sportelin Unik, fotokopje e vizës dhe fotokopje e kuponit që dëshmon paraqitjen e kërkesës për lëshimin e lejes së qëndrimit për punë të varur.

Së fundi, edhe kush ka ardhur në Itali përmes praktikës së bashkimit familjar ose ka kërkuar kohezionin me një familjar mund të kërkojë rezidencën.
Në këto raste është e nevojshme t’u paraqitet punonjësve të zyrës së Gjendjes Civile fotokopje të vizës së hyrjes për bashkim familjar, të autorizimit për bashkimin familjar e lëshuar nga Sporteli Unik dhe të kuponit të paraqitjes së kërkesës për leje qëndrimi. Në rastin e kohezionit familjar duhet paraqitur fotokopja e kërkesës së lejeqëndrimit për kohezion familjar.

Avv. Mascia Salvatore, Stranieriinitalia.it

In italiano: Non ho ancora il permesso di soggiorno, posso chiedere la residenza?

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në 
Facebook dhe Twitter)