Në Itali për turizëm, ç’ndodh nëse më ndalojnë pasi kanë kaluar tre muaj? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Kam tre muaj që kam ardhur në Itali pa vizë e dua të rri akoma këtu. Çfarë ndodh po të më ndalojë policia për ndonjë kontroll?

Qëndrimi në Itali përtej periudhës së shkurtër të lejuar nga viza afatshkurtër, për turizëm për  shembull, përbën shkelje të dispozitave të Tekstit Unik për Imigracionin. Edhe për qytetarët e vendeve që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Italinë apo BE-në për heqjen e vizave, si rasti i shqiptarëve, kufiri maksimal i qëndrimit është 3 muaj dhe nuk mund të zgjatet.

Normativa aktuale parashikon që kushdo që rri në territorin italian pa një dokument të vlefshëm qëndrimi, siç është për shembull një vizë turizmi e skaduar apo kalimi i tre muajve nga vula e hyrjes në Itali për ata që vijnë këtu pa vizë, ndëshkohet me një gjobë që shkon nga 5.000 në 10.000 euro. Për më tepër, atij që qëndron ilegalisht në Itali sepse nuk ka më dokumentin e vlefshëm për të qëndruar i lëshohet dekreti i dëbimit në bazë të nenit 10bis të dekretit legjislativ 286/98.

Kështu i huaji që ndalet këtu përtej periudhës së lejuar duhet të paguajë gjobën e parashikuar nga ligji, me përjashtim të rastit kur identifikimi i të huajit bëhet gjatë kontrollit të policisë së kufirit ndërsa po largohet me dëshirën e tij nga territori italian. Pra, vetëm nëse këtë rast, nuk do t’i kërkohet të paguajë gjobën dhe as do t’i lëshohet dekreti i dëbimit.

Porligjin e shkel jo vetëm kush qëndron padrejtësisht në Itali. E shkel edhe kush e strehon apo i lëshon shtëpinë, falas apo me qira, dhe dënohet me heqje lirie nga 6 muaj deri në 3 vjet, me përjashtim të rastit kur vendos të bjerë dakord me organet e drejtësisë e në këtë rast pasuria e patundshme i konfiskohet. Për më tepër, kush favorizon qëndrimin ilegal të të huajit për të nxjerrë përfitim të paligjshëm prej tij, dënohet deri me 4 vjet burg e gjobitet. Nëse veprat e mësipërme penale përfshijnë disa persona apo përbëjnë një vepër akoma më të rëndë, sanksionet administrative dhe penale janë edhe më të rënda.

Së fundi, duhet kujtuar që nuk është e mundur të punësohet i huaji që ka ardhur në Itali për turizëm, pasi kush e bën këtë gjë sanksionohet njësoj si ata që u japin punë imigrantëve të parregullt.

In italiano: Arrivo come turista. Che succede se mi fermano dopo la scadenza del visto?

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe: Të huajt e ardhur në Itali për turizëm mund të punojnë?