Pres të më lëshojnë lejeqëndrimin e parë, mund të kërkoj patentën? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet

Jam në pritje të lëshimit të lejes së parë të qëndrimit, a mund të kërkoj patentën italiane apo duhet të pres deri sa të kem në dorë dokumentin e qëndrimit?

Po mund të bësh provimet për marrjen e patentës italiane. Edhe shtetasit e huaj që presin të marrin lejeqëndrimin e parë apo përtëritjen e tij për motive pune apo familjare mund të pranohen në provimet teorike dhe praktike dhe të marrin patentën. 

Zyrat e motorizimit civil duhet të verifikojnë vetëm nëse kërkesa e parë ose përtëritja janë kërkuar brenda afateve të parashikuara me ligj. Kështu që do të kërkojnë një fotokopje të dokumentit të identiteti, një fotokopje të kuponit të kërkesës për lëshimin e parë apo përtëritjen e lejes së qëndrimit (në këtë rast bashkë me fotokopjen e lejes së qëndrimit).

Do të jetë më pas detyrë e forcave të policisë t’i tërheqin edhe patentën në rast se të huajit nuk i jepet leja e qëndrimit apo nuk i përtërihet.

Kujtojmë që zyra kompetente për lëshimin e patentës është Drejtoria Provinciale e Motorizimit Civil.

Avv. Mariangela Lioy