Rezidenca. Si bëhet regjistrimi në Zyrën e Gjendjes Civile e për çfarë duhet - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Regjistrimi në Zyrën e Gjendjes Civile është e drejtë dhe detyrim i të gjithë qytetarëve italianë e të huaj që jetojnë në mënyrë të rregullt në Itali. Regjistrimi është gjithashtu i domosdoshëm për të pasur kartën e identitetit.

Nga vjetërsia e rezidencës  (pra e regjistrimit në zyrën e Gjendjes Civile) varen edhe një sërë të drejtash të rëndësishme për imigrantët. Në fakt, duhet pasur rezidenca për të kërkuar shtëpi të komunës, për të bërë patentën, për të kërkuar (pas një numri të caktuar vitesh) shtetësinë italiane. Ndaj regjistrimi në Zyrën e Gjendjes Civile dhe përditësimi i adresës është shumë i rëndësishëm.

Për të bërë regjistrimin duhet paraqitur kërkesë pranë zyrës së Gjendjes Civile të komunës ku jetohet. Është e nevojshme të kihet një pasaportë dhe një lejeqëndrim. Kërkesës i bashkangjitet veç kopjeve të dokumenteve të sipërpërmendura edhe kopja e kodit fiskal, dhe e patentës (nëëse zotërohet). Certifikatat e përkthyera dhe të legalizuara (me apostille, në rastin e shqiptarëve) të lindjes, martesës, ndarjes, familjare janë të detyrueshme nëse kërkesa paraqitet edhe për familjarët në ngarkim që transferohen në Itali.

Për të bërë regjistrimin, është e detyrueshme të tregohet se i interesuari ka një banesë në dispozicion. Këtë e dëshmon duke i bahskangjitur kërkesës një kopje të kontratës së qirasë, të dhënies në përdorim (comodato d’uso), të deklaratës së mikpritjes (dichiarazione di ospitalità).  Në këto raste pronari i shtëpisë duhet të nënshkruajë që autorizon të huajin të marrë rezidencën në atë adresë duke i bashkangjitur autorizimit edhe kopjen e kartës së identitetit. Nëse pronari i banesës banon në të njëjtën adresë, përveç pranimit të të huajit në shtëpinë ku banon, duhet të specifikojë nëse i huaji bën pjesë në bërthamën e tij familjare (për shembull është bashkëshortja apo bijtë e saj) apo nuk bën pjesë në të (është bashkëpunëtorja familjare, për shembull). Së fundi, në rast se paraqitësi i kërkesës së rezidencës është pronar i shtëpisë duhet të bashkangjisë kopjen e aktit të pronësisë.

Edhe kush ka paraqitur kërkesë për lëshimin e lejeqëndrimit të parë, pasi ka ardhur në Itali me vizë pune apo bashkimi familjar, mund të paraqesë kërkesë për rezidencën, me kusht që të tregojë dokumentacionin që i ka bashkangjitur kërkesës për lejeqëndrimin. Kanë të drejtën e regjistrimit në regjistrin e popullsisë rezidente të komunës edhe ata që kanë aplikuar për azil politik dhe janë në pritje të vendimit të Komisionit territorial kompetent.

Në rast se leja e qëndrimit ka skaduar, është gjithnjë e mundur të kërkohet regjistrimi por duhet paraqitur edhe kuponi postar i aplikimit për përtëritjen e dokumentit të qëndrimit, që të dëshmojë se kërkesa e përtëritjes është paraqitur para skadencës së dokumentit ose brenda 60 ditëve nga data e skadencës.

Së fundi, është e udhës të mbahet parasysh që i huaji i regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile të komunës ka detyrimin të përtërijë deklaratën e banimit në adresën e deklaruar brenda 60 ditëve nga përtëritja e lejes së qëndrimit. Për të përmbushur këtë detyrim mjafton të paraqesë lejeqëndrimin e përtërirë në origjinal dhe fotokopje.

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it

In Italiano: Residenza. Come si fa l’iscrizione all’anagrafe? A che serve?

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)