Shtetësia italiane. Si llogariten të ardhurat për paraqitjen e kërkesës? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet

Po përgatis kërkesën për shtetësinë italiane por për një nga tri vitet e fundit nuk kam të ardhura të mjaftueshme. A mund të tregoj edhe të ardhurat e tim shoqi?

 

Të ardhurat minimale që nevojiten për të aplikuar për shtetësi italiane për rezidencë janë 8.500 euro në vit për trevjeçarin që paraprin paraqitjen e kërkesës. Këto të ardhura duhet të vijnë nga burime të ligjshme, si punë e varur apo aktivitet privat dhe mund të tregohen përmes deklaratave të të ardhurave modeli 730, Unico ose CU (ish CUD).

Me qarkoren K. 60.1 të 5 janarit 2007, Ministria e Brendshme u ka kërkuar administrative të vlerësojnë të ardhurat e aplikuesit për shtetësi jo vetëm në bazë të atyre personale por duke parë të ardhurat e të gjithë bërthamës familjare.

Kjo do të thotë që, nëse shtetasi i huaj që paraqet kërkesë për shtetësinë italiane, nuk arrin shumën minimale prej rreth 8.500 euro për çdo vit në trevjeçarin e fundit siç kërkon ligji, mund të integrojë ardhurat e tij me ato të bërthamës familjare. Por kur paraqiten të ardhurat e bërthamës familjare e jo vetëm ato personale, shumat e nevojshme duhet të jenë më të larta: për shembull, në rast të bashkëshortit në ngarkim, të ardhurat minimale që duhen treguar janë 11.500 euro, plus 550 euro për çdo bir në ngarkim.

Në bërthamën familjare bëjnë pjesë të gjithë ata që rezultojnë të regjistruar në statusin e familjes. Ky kusht është futur për t’u lejuar edhe pjesëtarëve të tjerë të familjes që nuk kanë të ardhura personale të mjaftueshme për të paraqitur kërkesë, të mund ta bëjnë nëse janë vërtet në ngarkim të kryefamiljarit dhe përmbushin të gjitha kriteret e tjera të parashikuara nga ligji.

Shuma minimale e 8.500 eurove për çdo individ që aplikon për shtetësinë italiane është kufiri nën të cilin nuk kërkohet pjesëmarrja në shpenzimet shëndetësore. Ky kriter është shumë i rëndësishëm në çastin e vlerësimit të praktikës së shtetësisë në bazë të nenit 9 të ligjit 91/92, pra për rezidencë, sepse interesi publik e kërkon që qytetari i ardhshëm të ketë mjetet e mjaftueshme jo vetëm që t’i garantojnë vetëmjaftueshmërinë ekonomike por edhe të përmbushë detyrimet e slidaritetit.

Duhet mbajtur parasysh që sipas ligjeve 5/2005 dhe 80/2005, administrate publike duhet t’i kërkojë aplikuesit për shtetësinë deklaratë për të ardhurat e përditësuara, që duhet të favorizojë të interesuarin në rast se shihet një përmirësim i gjendjes ekonomike, para se të lëshojë një dekret të mundshëm hedhjeje poshtë të kërkesës, veçanërisht kur koha që kalon nga paraqitja e saj deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës është e konsiderueshme (disa vjet).

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:
Shtetësia italiane. A mund të mbledh të ardhurat me ato të bashkëjetuesit?
Shtetësia për rezidencë në Itali - Udhëzues i përditësuar