Shtetësia, kush ka lindur në Itali mund të paraqesë kërkesë edhe pasi mbush 19 vjeç? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Kam lindur në Itali e kam jetuar gjithnjë këtu. Kur mbusha 18 vjeç nuk bëra kërkesën për shtetësinë italiane në Komunë, por kam vazhduar të kem lejen e qëndrimit. Tani jam 21 vjeç e dua të bëhem italian. Mund të paraqes kërkesë për shtetësinë?

Qytetarët e huaj të lindur në Itali por që nuk kanë paraqitur “deklaratën e vullnetit” në zyrat e Komunës kur kanë mbushur moshën madhore, mund të kërkojnë edhe më pas shtetësinë duke paraqitur kërkesë në Prefekturë.

“Deklarimi i vullnetit” mund të bëhet nga 18 deri në 19 vjeç, ose brenda 20 vjeçëve nëse nuk ka mbërritur lajmërimi nga Zyra e Gjendjes Civile e Komunës lidhur me mundësinë e ushtrimit të së drejtës së marrjes së shtetësisë (Ligji nr. 98/2013). Ky komunikim duhet të niset në adresën e të riut në gjashtë muajt që paraprijnë datën kur ai mbush moshën madhore.

Kur ky kufi kohor kapërcehet, i interesuari mund të paraqesë kërkesë për shtetësinë italiane në prefekturë dhe në këtë rast, përveç lindjes në Itali nevojitet të ketë të paktën tre vjet rezidencë, kriter ky i fundit i përmbushur për ata që janë rezidentë në Itali që nga lindja.

Në këtë rast duhet respektuar edhe kriteri i të ardhurave, pra duhen dëshmuar të ardhura të paktën 8.500 € në vit, gjatë tre vjetëve të fundit përpara paraqitjes së kërkesës. Duhet mbajtur parasysh që të ardhurat në fjalë janë ato të bërthamës familjare ku bën pjesë kërkuesi, kështu që, nëse bëhet fjalë për një student, mjafton të dëshmohen të ardhurat e prindërve.

Kërkesa duhet t’i paraqitet online Prefekturës së vendbanimit duke plotësuar formularin telematik dhe duke bashkangjitur dokumentet e kërkuara në formatin tif, pdf ose jpeg. Ministria e Brendshe mund të kërkojë dokumente shtesë po ta shohë të arsyeshme e çdo kërkesë apo komunikim prej saj do të mbërrijë me mesazh në postën elektronike të të interesuarit. 

Për paraqitjen e kërkesës së shtetësisë duhen paguar 200 euro, ndaj i interesuari duhet të bashkangjisë edhe kuponin e pagesës së kryer në llogarinë nr. 809020 të Ministrisë së Brendshme.

Koha për shqyrtimin e kërkesës është 730 ditë. Në rast përgjigjeje pozitive, Prefektura i dërgon një njoftim personit brenda 90 ditëve nga marrja e dekretit të shtetësisë nga ana e Autoritetit përkatës. Pasi personi të ketë marrë dekretin, duhet të paraqitet në Komunën e vendbanimit, brenda 6 muajsh nga marrja e njoftimit, për të bërë betimin për besnikëri ndaj Republikës në përputhje me nenin 10 të Ligjit për Shtetësinë (Ligji 91/1992). Pas skadimit të kësaj periudhe, dekreti e humb vlerën dhe personi duhet të paraqesë sërish kërkesë për shtetësi dhe të nxjerrë sërish të gjitha dokumentet e duke paguar përsëri 200 euro.

Duhet pasur parasysh se disa shtete nuk lejojnë shtetësi të dyfishtë (nuk është rasti i Shqipërisë). Është e këshillueshme të verifikohet pranë konsullatës përkatëse nëse marrja e shtetësisë italiane shkakton apo jo humbjen e shtetësisë së origjinës.

Maria Elena Arguello/ Stranieriinitalia.it

In italiano:  Cittadinanza, chi è nato in Italia può fare domanda anche dopo i 19 anni?

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)