Të huajt e ardhur në Itali për turizëm mund të punojnë? - Shqiptari i Italisë

Eksperti përgjigjet
Dua të punësoj një vajzë shqiptare si bashkëpunëtore familjare. Ka ardhur në Itali për turizëm, mund t’i bëj dokumente pune që të marrë leje qëndrimi?

Romë, 6 qershor 2016 – Nuk është e mundur të punësohet një i huaj që në Itali ndodhet për turizëm, pavarësisht faktit nëse ka skaduar ose jo periudha tremujore maksimale e qëndrimit të rregullt.

Normat në fuqi specifikojnë që të huajt që mund të punojnë në Itali duhet të kenë një lejeqëndrim të rregullt që lejon punësimin ose, nëse janë jashtë Italisë, punëdhënësi duhet të verifikojë nëse ka në dispozicion kuota punësimi në kuadër të dekretit të flukseve gjatë vitit të referimit.

Por, dekreti aktual i flukseve 2016 nuk ofron asnjë mundësi në rastin konkret sepse parashikon që të mund të sillen në Itali për t’u punësuar si bashkëpunëtore familjare maksimumi 100 persona, madje këto kuota u rezervohen punonjësve me origjinë italiane që vijnë nga Argjentina, Brazili, Uruguaji ose Venezuela.

Në përgjithësi, punëdhënësi që dëshiron të sjellë një të huaj rezident jashtë Italisë për ta punësuar si bashkëpunëtor familjar, pasi verifikon kuotat në dispozicion të Dekretit të Flukseve, mund të bëjë kërkesë online për nulla-osta për punë të varur pranë Sportellit Unik për Imigracionin të provincës.

Duhet mbajtur parasysh që mes kritereve të nevojshme për marrjen e nulla-ostas, punëdhënësi duhet të tregojë, me dokumentacion të përshtatshëm, se ka verifikuar më parë pranë Qendrës për Punësimin se nuk ka asnjë punonjës të pranishëm në Itali që të mund të bëjë punën e kërkuar.

Kriteret e tjera të parashikuara për të marrjen e nulla-ostas janë garantimi nga anë e punëdhënësit, i një strehimi të përshtatshëm dhe i kushteve të caktuara të marrëdhënies së punës, si edhe angazhimi i pagesës së shpenzimeve të kthimit të të huajit në vendlindje.

In italiano: Gli stranieri arrivati in Italia col visto per turismo possono lavorare?

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)