17 mijë shqiptarë mund të përfitojnë një leje qëndrimi falë sanatores - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Janë mbyllur procedurat e paraqitjes së kërkesave në kuadrin e sanatores së parashikuar nga neni 103 i dekretligjit nr. 34 të 19 majit 2020 i njohur ndryshe si dekreti Rinisja. Nga thuajse 210 mijë kërkesat e paraqitura, rreth 17 mijë janë për shtetas shqiptarë

 

Romë, 17 gusht 2020 - Të mbyllura mbrëmjen e të shtunës, 15 gusht, procedurat për legalizimin e punonjësve të parregullt kanë regjistruar rreth 210 mijë aplikime për legalizimin e të huajve të parregullt që punojnë në bujqësi, blegtori, peshkim e familje të bëra online nga punëdhënësit dhe rreth 13 mijë kërkesa për lejeqëndrime të përkohshme të paraqitura nga vetë të huajt.

Kjo del në dritë nga Raporti i fundit mbi ecurinë e procedurave të legalizimit të të huajve të parregullt që punojnë në bujqësi, blegtori, peshkim e pranë familjeve i ministrisë së Brendshme italiane i botuar sot.

Në veçanti, përsa i përket komunitetit tonë, rreth 17 mijë shqiptarë kanë shpresë të dalin nga klandestiniteti e të pajisen me një dokument qëndrimi për punë. Më saktësisht, për shtetas shqiptarë janë paraqitur 11.671 (69,3%) kërkesa legalizimi si bashkëpunëtorë familjarë dhe 5.176 (30,7%) kërkesa legalizimi në bujqësi, blegtori apo peshkim.
E meqë komuniteti ynë është ndër më të vjetrit e më të integruarit në Itali, nuk kanë munguar shtetas shqiptarë as mes punëdhënësve. Gjithnjë sipas raportit të ministrisë, 2.382 familje shqiptarësh kanë aplikuar për legalizimin e bashkëpunëtorëve familjarë e 519 sipërmarrës shqiptarë për legalizimin e një punonjësi në bujqësi, blegtori apo peshkim.

Në përgjithësi, kërkesat e paraqitura në portalin e ministrisë së Brendshme italiane në këta dy muaj e gjysmë, kapin shifrën 207.542. Siç është vërejtur edhe në Raportet e mëparshme dyjavore, pjesa dërrmuese e të huajve që kërkohet të legalizohen punojnë pranë familjeve. Në fakt, 176.848 (85%) kërkesa kanë të bëjnë me legalizimin e bashkëpunëtorëve shtëpiakë dhe kujdestarëve për persona të pamundur kundrejt 30.694 (15%) kërkesave për legalizimin e punonjësve në bujqësi, blegtori e peshkim.

Krahina me më shumë aplikime për legalizim bashkëpunëtorësh familjarë është Lombardia (me 47.357 kërkesa të paraqitura), ndërsa për legalizimin e punonjësve në në bujqësi, blegtori e peshkim renditet e para Campania (6.962 kërkesa). Nga punëdhënësit që kanë kërkuar legalizimin e bashkëpunëtorëve shtëpiakë, 136.138 kanë shtetësi italiane, ndërsa nga punëdhënësit në bujqësi, blegtori e peshkim, janë italianë 28.013 vetë.
Përsa i përket vendlindjes së punonjësve për të cilët kërkohet legalizimi, renditen të parat Ukraina, Bangladeshi, Pakistani për bashkëpunëtorët familjarë; Shqipëria, Maroku dhe India për punonjësit në sektorin e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit.

Kanali i dytë i parashikuar nga masa e legalizimit ishte ai që mund të përdorej drejtpërdrejt nga vetë qytetarët e huaj me leje qëndrimi të skaduar, të cilëve iu dha mundësia të kërkonin një leje qëndrimi të përkohshme. Që në fillim u vërejt se për shkak të kritereve të shtrënguara e kufizimeve të shumta nuk ishte rrugë mjaft e praktikueshme. Raporti i fundit i ministrisë thotë se kërkesat për lejeqëndrime të përkohshme janë gjithsej 12.986. Nuk jepet akoma asnjë e dhënë mbi prejardhjen e të huajve që kanë aplikuar, veçse një shënim me numrin e këtyre kërkesave sipas provincave italiane. Të parat renditen Verona (675 kërkesa), Cuneo (466), Cosenza (423), Milano (406), Foggia (394) Salerno (393) dhe Roma (391).

Shkarko: 
Raportin përfundimtar të ministrisë së Brendshme mbi aplikimet për legalizimin e punonjësve të huaj deri më 15 korrik 2020
Skedën informuese me numrin e kërkesave të lejeqëndrimeve të përkohshme sipas provincave
K.B./Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në 
Facebook dhe Twitter)