600 mijë italianë marrin pensionet falë imigrantëve - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Imigrantët, barrë për Italinë? Nuk është e vërtetë, këtë radhë e thotë ministria e Ekonomisë dhe Financave

Romë, 14 mars 2016 – Imigrantët janë një burim i pazëvendësueshëm për Italinë. I japin shoqërisë më shumë nga ç’marrin prej saj.

Para pak muajsh e theksoi Presidenti i INPS-it Tito Boeri, tani e thotë edhe një raport i ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, sipas të cilit shifrat flasin qartë: prurjet e imigrantëve janë shumë të nevojshme e të rëndësishme, të paktën, për qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve. Rreth 600 mijë italianë marrin pension falë kontributeve që derdhin të huajt.

Këtë ka pohuar pak ditë më parë jo një “buonist” i majtë, siç mund të kujtojë Calderoli & Co por kreu i kabinetit të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF) Roberto Garofoli, gjë që e përsëriti edhe kryetarja e Dhomës së Deputetëve Laura Boldrini në një kuvend të mbajtur në fundjavë në Palermo.

Sigurimet shoqërore e pensione

Sipas MEF-it Italia ka shpenzuar vitin e shkuar 3,3 miliardë euro për të përballuar emergjencën imigracion. Por nga ana tjetër, gjatë vitit 2014 punonjësit jokomunitarë kanë derdhur në INPS si kontribute shoqërore rreth 8 miliardë euro, kundrejt 642 milionë euro që kanë marrë si pensione e 2,42 miliardë që kanë marrë në shërbime të tjera të ndryshme nga pensionet. Përllogaritjet e mëtejshme tregojnë se kontributet e derdhura nga të huajt shërbejnë për t’u dhënë sot pensione 600 mijë të moshuarve.

Imigrantët paguajnë taksa e tatime dhe hapin vende të reja pune

Janë interesante edhe çka del në dritë nga të dhënat fiskale. Në vitin 2014 taksapaguesit e huaj kanë deklaruar të ardhura për 45,6 miliardë euro e kanë derdhur 6,8 miliardë IRPEF (tatim mbi të ardhurat e personave fizikë). Përsa u përket “Partite IVA” (të vetëpunësuarit), gjatë vitit 2015 rezultonin se ishin 58.407 në emër personash të lindur jashtë Bashkimit Evropian. Kjo e dhënë është domethënëse nëse krahasohet me 13.259 “partite IVA” të shtetasve të BE-së dhe 297.649 të të gjithë italianëve.

Një e dhënë tjetër e rëndësishme është sipërmarrjeve me në krye një të huaj. Në vitin 2014 rezultojnë 525 mijë të tilla dhe përbëjnë 8,7% të të gjitha sipërmarrjeve private të regjistruara në Dhomat e Tregtisë.

E pra, të mbledhin mendjen legistët e të gjithë ata që mendojnë se imigrantët janë vetëm një barrë për Italinë, nuk është e vërtetë. Shifrat nuk janë opinion e flasin qartë.

Lexo edhe:
Derdhin kontribute e nuk marrin pension. Dhurata e imigrantëve Italisë
Boeri këmbëngul: “Imigrantët i dhurojnë Italisë 400 milionë € në vit”

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në 
Facebook dhe Twitter)