600 € në muaj për çerdhen apo babysitter. Kthehet kontributi për nënat - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Ndihma për nënat e reja, italiane të huaja, në marrëdhënie pune, që heqin dorë nga leja për fëmijën e kërkojnë të përfitojnë nga shërbimet me pagesë për të miturit. Nga 2 shkurti ka nisur paraqitja e kërkesave
 

Romë, 3 shkurt 2016 – Kthehen edhe këtë vit ndihmat për nënat e reja që dëshirojnë (apo janë të detyruara) të kthehen mejëherë në punë pas lejes së lindjes. Shteti do t’u japë deri 600 euro në muaj për maksimumi gjashtë muaj për të mbuluar shpenzimet për çerdhe apo edhe babysitter që do të përkujdesen për bebin. Por kushti i domosdoshëm për përfitimin e kësaj shumë është heqja dorë, po për aq muaj, nga ajo që italisht quhet "congedo parentale", periudha e mosvajtjes me dëshirë në punë që u njihet punonjëseve pas përfundimit të periudhës së detyrueshme të lejes pas lindjes së foshnjës.

Ligji i ri i Qëndrueshmërisë ka vënë në dispozicion për këtë kontribut 20 milionë euro që do t’u jepen atyre që do ta kërkojnë deri në përfundimin e të gjithë shumës.

Mund ta përfitojnë punonjëset italiane apo të huaja të sektorit shtetëror e privat (përjashtohen bashkëpunëtoret shtëpiake) dhe, maksimumi për tre muaj, të gjitha punonjëset me kontratë bashkëpunimi me projekt apo profesionistet e regjistruara në "administrimin e ndarë" INPS. Ndihma është edhe për punonjëset me kontratë part-time, por kontributi për to do të jetë në përpjestim me orët e punës. Nëse një grua punon me kontratë 50%, çeku që i takon është vetëm 300 euro.

Kërkesa duhet paraqitur brenda 11 muajve nga përfundimi i lejes së detyrueshme të lindjes prej jo më shumë se 11 muajve.

Pasi pranohet kërkesa, dhënia e kontributit ndryshon sipas përdorimit që do t’i bëhet. Çerdhet shtetërore dhe private të konvencionuara do të marrin kontributin drejtpërdrejt nga Shteti, ndërsa pjesën e mbetur të tarifës (nëse kjo është më e lartë) nga prindërit. Për të paguar babysitter, që natyrisht duhet të jetë e punësuar me kontratë, do të jenë mamatë që do të tërheqin nga INPS "bonus pune" me vlerën e kontributit.

Paraqitja e kërkesave ka nisur më 2 shkurt e do të vazhdojë deri më 31 dhjetor 2016. Por, kush përmbush kriteret bën mirë të mos presë: kontributi do të jepet sipas një rendi kronologjik të paraqitjes së kërkesave, deri në përfundimin e fondeve në dispozicion.

Gjithçka mund të bëhet personalisht në faqet internet të institutit të sigurimeve shoqërore (ëëë.inps.it → Servizi per il cittadino → Autenticazione con PIN → Invio domande di prestazioni a sostegno del reddito → Invio delle domande per l’assegnazione dei contributi per l’acquisto dei servizi per l’infanzia) ose me ndihmën e patronateve.

Këtu gjeni udhëzimet e detajuara të INPS-it (në italisht)

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)