Bashkëpunëtoret shtëpiake, mbërrin bonusi 960 € me deklarimin e të ardhurave - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Edhe punonjëset shtëpiake (colf, badante babysitter) kanë të drejtën e bonusit IRPEF, të famshmit 80 euro në muaj. Por për to nuk shtohet në rrogë si për punonjësit e tjerë të varur

Romë, 24 prill 2016 – Deri në 960 euro. Një shumë jo e vogël që punonjësit familjarë mund të rekuperojnë me bonusin IRPEF.

Janë të famshmet “80 euro në muaj” që punonjësit e tjerë të varur, që përmbushin kriteret, marrin në rrogë çdo muaj. Për kategorinë e punonjësve familjarë, colf, badante e babysitter, procedura ndryshon sepse familjet nuk zëvendësojnë shtetin në vjeljen e taksave (pra nuk janë “sostituti d’imposta”), ndaj nuk mund t’u japin bashkëppunëtoreve të tyre bonusin e Shtetit. Zgjidhja? Paratë mbërrijnë të gjitha bashkë vitin pasardhës, pas paraqitjes së deklaratës së të ardhurave.

Sasia e të ardhurave është shumë e rëndësishme për masën e bonusit. Bonusi u takon i plotë atyre që kanë të ardhura vjetore nga 8 mijë deri në 24 mijë euro, u takon i pjesshëm atyre që kanë të ardhura nga 24 mijë deri në 26 mijë euro. Nuk ka bonus për ata që fitojnë deri në 8 mijë euro, që nuk paguajnë taksa mbi të ardhurat e as për ata që fitojnë mbi 26 mijë euro (rast i rrallë mes bashkëpunëtoreve shtëpiake).

Pas deklarimit të të ardhurave llogariten taksat që duhen paguar, të cilave u hiqet shuma e bonusit. Nëse bonusi është më i lartë se taksat që duhen paguar, bashkëpunëtorja shtëpiake ka të drejtën e diferencës, që i paguhet në një llogari bankare apo e merr në një postë. Për të kuptuar nëse një bashkëpunëtore shtëpiake i përmbush kriteret për marrjen e bonusit e për të ditur në ç’masë i takon, rruga më e mirë është t’i drejtohet një Qendre të Asistencës Fiskale (CAF).

“Shumë punonjëse familjare, veçanërisht ato që bashkëjetojnë më punëdhënësin, përmbushin kriteret për të pasur bonusin. Është e rëndësishme të informohen për këtë mundësi që u jepet, thotë për Sranieriinitalia.it Raffaella Maioni, përgjegjëse kombëtare Acli-Colf. 

“Deklarimi i të ardhurave, përveçse i detyrueshëm, është i domosdoshëm për të pasur çeqet familjare, zbritjet nga taksat për shpenzimet shëndetësore e lehtësime të tjera fiskale, ndaj këshillojmë gjithnjë që të shkohet pranë një CAF-i” shton Maioni. “Vetëdija fiskale vitet e fundit është rritur por duhet të jetë edhe më e lartë. Fakti që ka akoma shumë marrëdhënie pune në të zezë, natyrisht, nuk ndihmon”.  

Elvio Pasca

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)