Bashkim familjar edhe me partnerin e lidhjes civile - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Tani të huajt mund të kërkojnë bashkim familjar edhe me partnerin e të njëjtës gjini. Përditësohen formularët, vlejnë të njëjtat rregulla që janë në fuqi për të sjellë në Itali gruan apo burrin. Qarkorja e ministrisë së Brendshme

Romë, 23 gusht 2016 – Shtohet një pikë e re në fushat e formularëve të bashkimeve familjare: “unito civilmente”. Tani imigrantët mund të sjellin në Itali me bashkim familjar jo vetëm bashkëshortin, fëmijët apo prindërit e moshuar, por edhe partnerin e të njëjtës gjini me të cilin ka regjistruar një lidhje civile në Itali apo jashtë.

Është një prej shumë aplikimeve të asaj pjese të ligjt mbi “lidhjet civile” (neni 1, paragrafi 20 ligji 76/2016), sipas të cilit “dispozitat që i referohen martesës dhe dispozitat që përmbajnë fjalët “bashkëshort/e”, “bashkëshortë”, në cilatdo ligje, dekrete e rregullore si edhe në aktverbale administrative e kontrata kolektive qofshin, zbatohen edhe për secilën palë të lidhjes civile mes personash të të njëjtës gjini”.

Teksti unik për imigracionin thotë, për shembull, që “i huaji mund të kërkojë bashkim familjar me […] bashkëshortin nga i cili nuk është i ndarë ligjërisht e në moshë madhore”. Tashmë, për pasojë të ligjit të ri, siç ka konfirmuar edhe ministria e Brendshme në një qarkore në fillim të gushtit, është “e mundur të kërkohet bashkim familjar edhe për partnerin me të cilin i interesuari ka lidhje civile, mjaft që ai të jetë në moshë madhore e partnerët të mos jenë ligjërisht të ndarë”.

Ashtu si për çdo bashkim familjar tjetër, edhe në këtë rast kërkesa paraqitet online përmes portalit të Ministrisë, që tashmë është përditësuar me modifikimet që kanë ardhur në fuqi me ligjin e ri mbi lidhjet civile. Përveç lidhjes, siç ndodh edhe kur sillen në Itali bashkësorti apo bashkëshortja, do të nevojitet të tregohen edhe të ardhura të mjaftueshme (baraz me shumën e një çeku social me gjysmën e tij, këtë vit 8.737,36 €) e një strehim i përshtatshëm në të cilin të jetohet me partnerin. Këto kritere nuk kanë të bëjnë me ata që gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare.

Në kërkesë lidhja civile vetëcertifikohet, por dokumentet që e dëshmojnë atë duhen paraqitur duhen paraqitur në konsullatën italiane të vendit ku ndodhet partneri. Nëse gjithçka shkon mirë, partneri do të marrë vizën e hyrjes e pasi të mbërrijë në Itali do të ketë një leje qënrimi për motive familjare.

Lexo qarkoren e Ministrisë së Brendshme

 

Advertisement