Bashkimi familjar, minimumi i të ardhurave të nevojshme për 2018-tën - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Vetëm kush siguron të ardhura të mjaftueshme për t’i mbajtur ekonomikisht, mund të sjellë në Itali bashkëshortin, partnerin, bijtë e prindërit. Ja vlerat minimale të vlefshme për këtë vit

Romë, 14 shkurt 2018 –Bashkëshorti, bashkëshortja, partneri i lidhjes civile, bijtë dhe prindërit. Këta janë familjarët që imigrantët mund të sjellin në Itali me praktikën e bashkimit, me kusht që të tregojnë se kanë strehë ku të jetojnë e para për t’i mbajtur.

Për këtë arsye, veç një strehimi të përshtatshëm, për të kërkuar bashkimin familjar nevojiten edhe të ardhura të përshtatshme

Në përgjithësi, në Tekstin Unik për Imigracionin parashikohet që kush kërkon bashkim familjar të ketë “të ardhura minimale vjetore nga burime të ligjshme jo më të ulëta se çeku social plus gjysmën e shumës së çekut për çdo familjar që do të sillet në Itali”.

Bëhet një përjashtim për fëmijët: “Për bashkimin me dy apo më shumë të mitur me moshë nën 14 vjeç kërkohen gjithnjë të ardhura vjetore jo më të ulëta se dyfishi i çekut social”. Për më tepër, ligji specifikon se “për përcaktimin e shumës së të ardhurave merren në konsideratë edhe të ardhurat e përgjithshme të familjarëve që bashkëjetojnë me kërkuesin”.

Parametri bazë i referimit është gjithnjë shuma e çekut social, që për vitin 2018 ka në vlerën 5.889,00 euro.

Ja disa shembuj kufijsh minimalë të ardhurash që duhet të mbajnë parasysh ata që do të kërkojnë të sjellin në Itali familjarët e tyre gjatë këtij viti:
Bashkim me 1 familjar: 8.833,50 €
Bashkim me 2 familjarë: 11.778,00
Bashkim me 3 familjarë: 14.722,50 €
Bashkim me 4 familjarë: 17.667,00 €
Bashkim me 2 apo më shumë bij të mitur nën 14 vjeç: 11.778,00 €
Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 1 tjetër familjar: 14.722,50 €
Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 2 familjarë të tjerë: 17.667,00 €.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)