Boeri këmbëngul: “Imigrantët i dhurojnë Italisë 400 milionë € në vit” - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Janë kontributet shoqërore të derdhura që nuk do të kthehen kurrë në pensione. E thotë president ii IPS-it, por Gasparri (FI) nuk e beson: “Nuk është e vërtetë, imigracioni bën keq”

Romë, 29 nëntor 2015 – Arkat e INPS-it duhet të falënderojnë imigrantët. Presidenti i Institutit të sigurimeve shoqërore italiane nuk lodhet së përsërituri, duke nxehur keq ata, si senatori i partisë Forza Italia, Maurizio Gasparri, që nuk duan t’u shohin bojën imigrantëve.

Ashtu siç kish bërë edhe në fund të shtatorit kur prezantoi raportin Worldwide Inps, edhe të hënën e shkuar, në Torino për një kuvend mbi bilancin shoqëror të INPS-it Piemonte, Boeri foli për kontributet e punonjësve imigrantë që këta të fundit nuk do të marrin kurrë mbrapsht në formën e pensionit.

“Deri tani – shpjegoi – kemi mbledhur rreth 3 miliardë. Llogarisim që janë edhe 12 miliardë që do të na vijnë. Pra kemi të bëjmë me rreth 1% të PBB-së që është dhuratë e imigrantëve arkave të shtetit e që çdo vit shtohet me rreth 400 milionë”.

Këto janë faktet, shifra të thata që nuk mund t’i vësh në dyshim. E megjithatë nënkryetari i Senatit Maurizio Gasparri provoi menjëherë t’i kontestonte: “Boeri t’i bëjë mirë llogaritë e do të shohë që ka pohuar gjëra të rreme dhe larg të vërtetës” shkroi në një komunikatë, për të përmendur më pas kostot e zbarkimeve të refugjatëve (që me punonjësit e huaj për të cilët fliste Boeri as që kanë të bëjnë).

“Dua t’i tregoj një personazhi që zotëron më shumë mendjemadhësi se kompetencë – u hodh në sulm Gasparri – që qeveria Renzi, fajtore e një veprimtarie katastrofike skafizmi shtetëror në favor të klandestinëve e ka përllogaritur në 3 miliardë e 300 milionë koston shtesë për Italinë për shkak të ardhjeve të imigrantëve, shumë për të cilën kërkon më kot rimbursim nga BE”.

“Imigracioni – përfundoi eksponenti FI – hap vrima në bilanc, sjell kosto sociale tejet të madhe,  shpenzime për sigurinë, dëme për shtimin e krimeve, pasoja negative të çdo lloji me kosto tejet të larta. Italia shkon keq e përjeton rritjen e rreziqeve, krimeve dhe problemeve të rendit për shkak të shtimit të imigracionit. Që nuk na pasuron, por na varfëron”.