Boeri: “Nuk është e vërtetë që imigrantët u marrin punën të rinjve” - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Presidenti i INPS-it: “Luftohet për punën më pak të kualifikuar, të rinjtë e ndiejnë më pak konkurrencën e të huajve”. Punonjësit imigrantë derdhin 8 miliardë e marrin vetëm 3

Romë, 8 qershor 2016 – Nuk janë barrë për sistemin e mirëqenies sociale, përkundrazi. E nuk u heqin punën të rinjve. Presidenti i INPS-it Tito Boeri vazhdon betejen e tij kundër paragjykimeve ndaj punonjësve imigrantë, mbi të cilët fryn gjithnjë e fortë era e populizmit.

Duke e marrë fjalën të hënën në Romë në Repidee 2016, të organizuar nga e përditshmja italiane La Repubblica, ekonomisti ka rikujtuar për të njëqindtën herë që “imigrantët derdhin çdo vit në arkat e sigurimeve shoqërore të INPS-it 8 miliardë euro e marrin vetëm 3 miliardë, kështu që diferenca është në favor të Italisë e nuk është aspak e vërtetë që vjelin burimet tona. Përkundrazi. Shpesh derdhin kontributet e për një sërë arsyesh nuk marrin më pas pensione kështu që “dhurata”, sepse kjo është fjala e saktë, është e barabartë me një pikë përqindjeje të PBB të Italisë”.

Sipas Boerit, Evropa duhet të favorizojë lëvizjen e lirë të imigrantëve, ashtu si edhe të të rinjve, sepse vetëm kështu mund të riekuilibrohen tregjet e punës shpesh shumë të ndryshëm nga pikëpamja e punësimit. “Por në të kundërt, po ngrihen barriera” komentoi ai.

Për presidentin e INPS-it, edhe “pohimi që mbërritjet e imigrantëve u heqin vende pune të rinjve, në bazë të realitetit, nuk qëndron në këmbë”. Imigracioni mund të krijojë “sigurisht tensione në qasjen në tregun e punës për personat më pak të kualifikuar, por shpesh të rinjtë kanë kualifikim më të lartë se punonjësit italianë në përgjithësi ndaj këtë problem e përjetojnë në masë më të vogël”.

“Së dyti – shtoi Boeri – ne kemi një problem integrimi të imigrantëve e para se këta të integrohen në tregun e punës – veçanërisht refugjatët – kalon ca kohë. Ndërsa problemi i të rinjve në Itali lidhet kryesisht me bllokimet e menjëhershme, të papritura e të shumta në numër të daljeve në pension që nisën në vitin 2011”.