Bonus bebe. Edhe për 2016-tën çeku për prindërit e rinj, italianë e imigrantë - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Deri në 160 euro në muaj për tre vjet për çdo fëmijë të lindur apo birësuar. Të huajve u kërkohet të kenë kartën e qëndrimit

Romë, 11 janar 2016 – Viti i ri, i njëjti bonus bebe. Edhe për 2016-tën konfirmohet ndihma e vogël e Shtetit për nënat e baballarët e rinj.

Bonusi u rezervohet familjeve me tregues të situatës  ekonomike (ISEE) nën 25 mijë euro dhe është një çek mujor nga 80 euro për tre vjet, duke filluar nga lindja apo birësimi i fëmijës. Kur ISEE nuk kapërcen 7 mijë eurot, shuma e çekut dyfishohet: 160 euro në muaj.

Mund ta kërkojnë prindërit italianë, komunitarë dhe jokomunitarë. Por të huajt jokomunitarë duhet të kenë statusin e refugjatit politik, ose të gëzojnë mbrojtje humanitare ose  kanë lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturën karta e qëndrimit, kufizim ky i fundit që bie ndesh me normativën evropiane.

Kërkesa paraqitet brenda 90 ditëve nga lindja ose birësimi i fëmijës përmes patronateve (pranë të cilave mund të kërkohet edhe përllogaritja e ISEE-s), përmes Contact Center të INPS-it (803164 nga telefoni fiks ose 06164164 nga celulari), ose përmes portalit internet të INPS-it.

Kush vendos të paraqesë kërkesën personalisht online, natyrisht para së gjithash duhet të ketë kodin PIN. Kur janë në portalin e INPS-it (www.inps.it)  të interesuarit duhet të hyjnë një pas një në këto rubrika: "Servizi per il cittadino > Autenticazione con PIN > Invio domande di prestazioni a sostegno del reddito >Assegno di natalità – Bonus bebè" për të arritur te formulari me të cilin të paraqesin kërkesën e bonusit.

Lexo qarkoren e INPS-it mbi bonusin bebe