Bonus bebe. Gjykata: “Edhe imigrantëve me lejeqëndrimi të vlefshëm për punë - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Gjykata e Bergamos pranon ankesën e një nëne shqiptare dhe hedh poshtë kriterin e kartës së qëndrimit: “Diskriminues, është në kundërshtim me normat evropiane”. Guariso (ASGI): “Tani i takon qeverisë dhe parlamentit të ndryshojnë ligjin”

Romë, 15 prill 2016 – Karta e qëndrimi nuk nevojitet. Edhe nënat apo baballarët e huaj që kanë në xhep një lejeqëndrim “të zakonshëm, me kusht që t’u lejojë të punojnë, kanë të drejtën e bonusit për bebet.

Është tamam e kundërta e asaj që mbrojnë deri tani qeveria dhe INPS, që u mohojnë çekun (80 apo 160 euro në muaj për tre vjet) mijëra prindërve të rinj imigrantë. E thotë një gjykatë, që mëngjesin e sotëm në Bergamo i dhanë të drejtë nënës shqiptare A. Hasa dhe ka urdhëruar administratën t’i paguajë bonusin, me të gjitha shumat e prapambetura. Gjykatësja e punës Maria Vittoria Azzollini pranoi plotësisht ankimimin antidiskriminues të ndjekur nga avokati Alberto Guariso i ASGI-t.

Pika kyçe është një normë e direktivës evropiane 2011/98/BE, që akoma nuk është transpozuar nga Italia edhe pse afati ka skaduar, por sidoqoftë është e zbatueshme. Thotë që imigrantët që kanë leje qëndrimi që u lejojnë të punojnë (si lejeqëndrimi për punë apo për bashkim familjar) kanë të drejta të barabarta me shtetasit evropianë, pra edhe me italianët, përsa u përket shërbimeve e ndihmesave sociale.

Ligji i stabilitetit 2015, që solli në fuqi Bonusin bebe, thotë ama që imigrantëët mund ta marrin vetëm nëse janë mbajtës të kartës së qëndrimit. Një diskriminim që ASGI denoncoi menjëherë, duke i kërkuar (më kot) qeverisë, parlamentit dhe Inps-it (që lëshon çekun) të respektojnë direktivën evropiane.

Gjykata i dha plotësisht të drejtë ASGI-t, duke kujtuar në urdhëresën e saj që direktiva qëndron mbi ligjin kombëtar italian dhe duhet aplikuar drejtpërdrejt edhe nga administrata publike. Ndaj, INPS “menjëherë duhet të ndalojë qëndrimin e tij diskriminues” dhe t’i njohë gruas shqiptare që ka hapur gjyqin “çekun prej 1.920 euro në vit për lindjen e vajzës, deri sa ajo të mbushë tre vjeç”.

“E prisnim, sepse direktiva evropiane është shumë e qartë. Tani presim përfundimin e çështjeve të tjera gjyqësore që kemi hapur në Como, Brescia dhe Milano, por kemi arsye të forta për të qenë optimistë” thotë për Stranieriinitalia.it avokati Guariso. Me pak fjalë pritet të mbërrijnë një sërë sentencash kundër përjashtimit të imigrantëve nga bonusi për të sapolindurit: “Qeveria dhe parlamenti mund t’i kishin shmangur, tani të vihen në lëvizje e të ndryshojnë ligjin për të respektuar normat evropiane”.

Vetëm pak javë më parë, INPS kishte pohuar sërish që kërkesat e atyre që nuk kanë kartën e qëndrimit duhen hedhur poshtë. Vendimi i gjykatës së Bergamos i vë shkelmin këtij qëndrimi të institutit të sigurimeve shoqërore dhe u hap rrugën, veç ankimimeve të reja, edhe paraqitjes së kërkesave nga ata që deri më sot kujtonin se nuk përmbushnin kriteret. “Në këtë pikë – nënvizon Guariso – është e rëndësishme që edhe patronatet të informojnë qytetarët e t’i këshillojnë të paraqesin kërkesat nëse kanë lejeqëndrim të vlefshëm për punë”.

Elvio Pasca