Bonus bebe, nis paraqitja e kërkesave. Deri 160 euro në muaj për tre vjet - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
INPS nxjerr qarkoren me procedurat e formularët. Kërkesa paraqitet online, me telefon apo pranë patronateve

Romë, 8 maj 2015 - Më në fund nga e hëna, 11 maj, mund të nisen kërkesat për të pasur bonusin bebe. Në fakt,  sot mbërriti edhe qarkorja e INPS-it me formularët e detajet e paraqitjes së kërkesave, copëza e fundit e nevojshme praktike që familjet me të sapolindur apo fëmijë të sapobirësuar të mund të përfitojnë një kontribut ekonomik që mund të arrijë deri në 160 euro në muaj. Mund të përfitojnë edhe shumë imigrantë.

Por deri tani nuk mund të paraqiteshin kërkesat: edhe pse parashikohej nga ligji i fundit i Stabilitetit, qeveria ka përcaktuar në detaje të gjithë procedurën vetëm më 27 shkurt me një dekret që u botua në gazetën Zyrtare më 10 prill e i cili i jepte dy javë kohë INPS-it (pra deri më 25 prill) të nxirrte qarkoren me formularët e procedurat e detajuara për paraqitjen e kërkesave në mënyrë telematike. Më në fund sot mbërrin pikërisht kjo qarkore.

Ç'është bonusi bebe

Bonusi bebe nuk është gjë tjetër veçse një çek 80-eurosh në muaj (apo 960 euro në vit) nga lindja deri në mbushjen e 3 vjeçëve, ose nga dita e ardhjes në bërthamën familjare të fëmijës së birësuar për tre vjet rresht. Bonusi u takon familjeve që kanë “tregues të situatës ekonomike të barasvlefshme” (ISEE) jo më të lartë se 25 mijë euro në vit, por nëse ISEE është maksimumi 7 mijë euro, shuma e bonusit dyfishohet në 160 euro në muaj (apo 1.920 euro në vit).

Bonusi është një ndihmë edhe për shumë imigrantë. Në fakt, u takon familjeve ku mami dhe/ose babi janë italianë, qytetarë të BE-së apo qytetarë jokomunitarë. Për këta të fundit ka disa kufizime që, megjithëse bien ndesh me normat evropiane, kanë mbetur në fuqi: për të pasur bonusin të huajt jokomunitarë duhet të kenëlejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturën karta e qëndrimit, ose statusin e refugjatit politik apo të gëzojnë mbrojtje humanitare.

Si kërkohet

Sipas qarkores së INPS-it, janë tre mënyrat për të kërkuar bonusin:

1- Portali internet INPS: shërbime telematike që mund të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e pajisur me kodin PIN, në portalin e Institutit Italian te sigurimeve shoqërore INPS;

2- Qendra e integruar e kontaktit: në numrin e gjelbër 803164 ose në numrin 06164164 nga celulari;

3- Patronatet të autorizuar nga INPS, që janë në dispozicion të qytetarëve për shërbimet e nevojshme telematike.

Kush vendos të paraqesë kërkesën personalisht online, natyrisht para së gjithash duhet të ketë kodin PIN. Kur janë në portalin e INPS-it (www.inps.it)  të interesuarit duhet të hyjnë një pas një në këto rubrika: "Servizi per il cittadino > Autenticazione con PIN > Invio domande di prestazioni a sostegno del reddito >Assegno di natalità – Bonus bebè" për të arritur te formulari me të cilin të paraqesin kërkesën e bonusit.

Kur paraqitet kërkesa?

Kërkesa duhet t’i paraqitet institutit të sigurimeve shoqërore brenda 90 ditëve nga lindja/birësimi ose brenda 90 ditëve nga ardhja në fuqi e dekretit (kjo e fundit nevojitet për t’u dhënë mundësinë e bonusit edhe prindërve të fëmijëve të lindur nga 1 janari 2015 deri më 27 prill, kur dekreti ka hyrë në fuqi, që të mund të marrin edhe shumat e prapambetura. Praktikisht këta prindër kanë kohë deri më 27 korrik). Kush paraqet kërkesën me vonesë do të kenë të drejtën e bonusit, por vetëm nga muaji i paraqitjes së kërkesës dhe jo ai i lindjes/birësimit të fëmijës. 

Lexo qarkoren e INPS-it

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)