Bonus kultura për bijtë e imigrantëve, miratohet amendamenti - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Komisioni i Kulturës thotë “po”. 500 eurot për t’u shpenzuar për libra, ekspozita, teatër, kinema do t’u jepen të gjithë 18 vjeçarëve që jetojnë në mënyrë të rregullt në Itali

Romë, 10 maj 2016 – Shtrirja e të drejtës së bonusit të kulturës bijve të imigrantëve bën një hap të rëndësishëm përpara.

Sot pasdite në Senat Komisioni për Kulturën ka miratuar amendamentin e qeverisë për “dekretin shkolla” dhe zhduk kriterin e shtetësisë italiane apo të BE-së për 18-vjeçarët të cilëve do t’u shkojnë 500 eurot për t’i shpenzuar në libra, muzeume, teatër. Do të mjaftojë të jenë rezidentë në Itali dhe “të kenë, në rastet kur parashikohet, lejeqëndrim të vlefshëm”.

Me konvertimin në ligj të dekretit shkolla do të zhduket më në fund një diskriminim që vetë qeveria e kishte futur në ligjin e fundit të Qëndrueshmërisë. Tamam në kohë, sepse shumë shpejt do të dalë dekreti i Kryeministrit që do të disiplinojë mënyrat e dhënies së bonusit. 

Qendra e djathtë u përpoq të pengonte qeverinë të korrigjonte gabimin e vet, me disa nën-amendamente që u hodhën poshtë. Forza Italia e Lega donin që bonusi i ri t’u shkonte vetëm italianëve, ose maksimumi, të parashikohej edhe vetëm për 18-vjeçarët që kishin arritur objektivat e marrëveshjes së integrimit.

EP