Çeku social 2018 pak më i madh. Por nga ky vit akoma më larg - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
INPS përcakton shumën vjetore të çekut social për vitin 2018. Është rreth 65 € më i lartë se në vitin 2017. Njëkohësisht ngrihet edhe mosha kur mund të kërkohet
 

Romë, 11 janar 2018 – Këtë vit çeku social do të jetë disi më i lartë, por edhe "më i largët".

Vlera e çekut, shumë e rëndësishme referimi për disa praktika që kanë të bëjnë me imigrantët, është 5.889,00 euro (ishte 5.824,91 euro vitet e fundit), apo 453,00 euro (nga 448,07 që ishte) për 13 këste, siç shpjegohet nga INPS me një qarkore të 21 dhjetorit 2017. Është rritur për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

Por ka edhe një lajm aspak të mirë: nëse tre vjetët e fundit ai është marrë në moshën 65 vjeç e 7 muaj, nga 1 janari 2018, për shkak të reformës Fornero të para disa vjetëve, nevojiten 66 vjeç e 7 muaj për ta marrë. Nga viti i ardhshëm, do të mund ta kërkojnë vetëm ata që kanë mbushur 67 vjeç.

Çeku u takon shtetasve më të varfër italianë, komunitarë dhe atyre jokomunitarë me kartë qëndrimi, që jetojnë në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve. Për të përfituar çekun, është e nevojshme që i moshuari që e kërkon të mos ketë asnjë formë fitimi apo të ketë të ardhura vjetore më të ulëta se vetë çeku. Vlera e çekut zvogëlohet me rritjen e të ardhurave të të interesuarit: vetëm nëse përfituesi nuk ka asnjë të ardhur e merr çekun të plotë, por nëse fiton ndonjë shumë të vogël, ai përfiton vetëm diferencën mes çekut social të plotë me shumën që fiton. Një shembull: nëse një i moshuar që jeton në Itali, ka një pension në Shqipëri prej 1.000 € në vit, do të marrë si çek social vetëm 4.889,00 në vit, ose 13 këste nga 376,08 €.

Edhe pse në të vërtetë janë relativisht të paktë të moshuarit e huaj që përmbushin të gjitha kriteret për të marrë çekun, ai është i rëndësishëm për milionë imigrantë që punojnë e jetojnë në Itali pasi është kriteri bazë ekonomik që më shpesh përdoret nga ligji mbi imigracionin për të përcaktuar kapacitetin ekonomik e për rrjedhojë edhe të drejtën për të jetuar në Itali apo për të sjellë këtu familjen.

Të gjithë imigrantët që do të përtërijnë këtë vit lejeqëndrimin, apo të kërkojnë lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë (karta e qëndrimit), për shembull, duhet të tregojnë se kanë të ardhura vjetore jo më të ulëta se çeku: 5.889,00  euro. Kush do të nisë praktikën për të sjellë në Itali bashkëshortin me bashkim familjar duhet të tregojë se ka të ardhura sa të paktën 1,5 herë çeku social, apo 8.833,50 euro.

Edhe shtetasit komunitarë, rumunë, bullgarë, grekë etj., për të qëndruar në Itali më gjatë se 3 muaj, duhet të tregojnë të ardhura vjetore të paktën sa shuma e çekut social.

K.B.

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

Advertisement