Çiftet gay për imigrantët? Nënkuptojnë edhe lejeqëndrim e shtetësi - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Për të huajt në Itali, njohja e çifteve homoseksuale ka pasoja pozitive praktike. Nga e drejta për të jetuar në Itali me partnerin deri në mundësinë e marrjes së shtetësisë italiane

Romë, 10 maj 2016 – Nëse të gjitha do të shkojnë siç parashikohet, brenda kësaj jave Italia do të ketë (më në fund) një ligj mbi lidhjet civile mes personash të të njëjtës gjini. Një risi e rëndësishme edhe për qindra mijëra imigrantë homoseksualë, të cilëve Shteti do t’u njohë lidhjen gjë që do të ketë pasoja praktike më shumë se për italianët.

Teksti mbi të cilin qeveria do të kërkojë votëbesimin në Dhomën e Deputetëve, barazon në shumë aspekte “lidhjen civile” me martesën. Praktikisht thotë se  , “dispozitat që përmbajnë fjalët “bashkëshort/e”, “bashkëshortë”, në cilatdo ligje, dekrete dhe rregullore qofshin, zbatohen edhe për secilën palë të lidhjes civile mes personash të të njëjtës gjini”.

Kjo vlen edhe për ligjet mbi imigracionin e shtetësinë. Aty ku sot flitet për “bashkëshortë”, “i shoqi”, “e shoqja”, “dhëndri”, “nusja”, me miratimin e tekstit do të jenë të tillë edhe secili nga partnerët e lidhjes civile, pra të çiftit homoseksual.

Kështu që, për shembull, një i huaj që ka nënshkruar “lidhje civile” me një tjetër të huaj me qëndrim të rregullt në Itali do të ketë të drejtën e lejes së qëndrimit për motive familjare, me të njëjtat kushte që kërkohen sot kur është fjala për dy bashkëshortë. Ose, një lidhje civile apo martesë homoseksuale e lidhur jashtë Italisë do të njihet domosdoshmërisht edhe në Itali e kjo do të japë të drejtën e bashkimit familjar.

E nëse çifti është i formuar nga një imigrant e një italian? Edhe në këtë rast do të vlejë barazia e të drejtave me ato të bashkëshortëve. Para së gjithash, partneri i huaj do të mund të jetojë menjëherë rregullisht në Itali pranë partnerit italian, me kartë qëndrimi për familjarë të qytetarëve të BE-së. Me të kaluar dy vjet, do të mund të kërkojë edhe shtetësinë italiane, siç ndodh sot për çiftet e martuara.

EP