Dekreti i flukseve 2019 është miratuar. Pritet botimi në Gazetën Zyrtare - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Burime të ndryshme jo zyrtare konfirmojnë jo vetëm miratimin e dekretit të flukseve 2019, por edhe që është fotokopje e dekreteve të viteve të fundit: mëse 30 mijë kuota, kryesisht për punonjës sezonalë e konvertime 
 

Romë, 2 prill 2019 – Brenda pak ditëve, do të shohë më në fund dritën dekreti i flukseve 2019. Burime të ndryshme konfirmojnë që është miratuar në qeveri nga fundi i marsit e se pritet që nga dita në ditë të botohet në Gazetën Zyrtare. 

Të njëjtat burime deklarojnë edhe që dekreti i flukseve 2019 duhet të jetë njësoj si ai i vitit të shkuar, gjë që do të thotë se do të jenë mëse 30 mijë kuota, thuajse të gjitha do t’u dedikohen punonjësve sezonalë dhe atyre që jetojnë në Itali e duan të konvertojnë lejen e qëndrimit. Se kur do të nisin paraqitjet e kërkesave përmes portalit të ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it (nga 15 marsi 2019 në sistem mund të hyhet vetëm me anë të kodit SPID - Sistema Pubblico di identità digitale) do të mësohet vetëm me botimin e Dekretit në Gazetën Zyrtare. 

Për të pasur një ide se si do të jetë pak a shumë dekreti i këtij viti, kujtojmë se vitin e shkuar ishin 30.850 kuota, të ndara si më poshtë:

Hyrje

- 18.000 për punonjës sezonalë për sektorin bujqësor dhe turistik (2.000 nga këto të rezervuara për autorizimet shumëvjeçare). Punonjësit mund të ishin nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, e vende të tjera të përcaktuara në dekret.

- 500 hyrje për punonjës të huaj josezonalë që kishin përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;

- 100 punonjës të pavarur apo të varur josezonale me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;

- 2.400 hyrje për punonjës të pavarur: sipërmarrës që donin të hapnin aktivitetin privat në Itali apo profesionistë, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.

Konvertime

Autorizohej konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:

- 4.750 lejeqëndrimeve për punë sezonale;

- 3.500 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

- 800 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;

Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur të:

- 700 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

- 100 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.

Për të mësuar se kur do të nisë paraqitja e kërkesave, na ndiqni në shqiptariiitalise.com ku do të shkruajmë sërish sapo dekreti të botohet e  hyjë në fuqi.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në
Facebook dhe Twitter)