Dy vjeç, por është ndër më aktivët Skënderbeu i Parmës - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Me një grup drejtues të përkushtuar e entuziast, shoqata Scanderbeg është shndërruar brenda një kohe të shkurtër  në pikë referimi për komunitetin dhe për institucionet italiane të zonës

Quhet Scanderbeg, dhe është një nga shoqatat më aktive në spektrin e dendur të shoqatave shqiptare në Itali. Emri emblematik që është zgjedhur emocinalisht nga themeluesit e saj ka vlejtur për të tërhequr në masë shqiptarët e Parmës dhe rrethinave ku shoqata është krijuar vetëm para dy vjetësh. Është zgjedhur Skënderbeu për tu mbledhur rreth emrit të heroit kombëtar shqiptar që këtyre anëve njihet edhe për atë pjesë të figurës së tij të parafytyruar si atlet të Krishtit e lidhës së shqiptarëve me perëndimin dhe brigjeve italiane konkretisht, për të dërguar një mesazh që rëndom synojnë të dërgojnë shoqatat e emigrantëve, pra lidhjen, njohjen e dy pikave të referimit mes të cilave emigrantët jetojnë. "Kush më mirë se Skënderbeu...", buzëqesh kryetari Durim Lika ndërsa me entuziazmin e vrulltë për të treguar gjithçka për shoqatën nuk lë kohë për të tilla detaje të vogla. Synimi natyrisht ka qenë edhe ai i njohjes, dhe afrimit të dy kulturave, asaj prurëse e asaj pritëse të emigrantëve veçanërisht në rastin e shqiptarëve të keqkuptuar e keqtrajtuar për vite të gjata, dhe italianëve një-etnik me vështirësi hapjeje e komunikimi. Por është shkuar shumë më larg se kaq dhe rezultatet kanë qenë shumë më të gjera se kaq.

"Në fillim ishim një grup miqsh, që donim të krijonim diçka sa për të kaluar kohën bashkë mes miqsh" - tregon Lika. Ata ishin shqiptarët e Parmës, të gjithë njerëz të angazhuar në profesione të ndryshme që në kohën e lirë, gjendeshin së bashku të lidhur nga miqësia dhe situata e njëjtë e emigrantit të çrrënjosur në kërkim të pikave të referimit. Pjesa më e madhe e tyre jetojnë në Parma me familjen, të transferuar me një tog vlerash tipike të shoqërisë shqiptare të cilat ata nënvizojnë se nuk duan t'i ndërrojnë me asgjë tjetër. "Shoqata jonë lindi edhe si një lidhje midis familjeve shqiptare, për aktivitete ku të gjithë të ishin bashkë" sqaron Lika duke theksuar rëndësinë që familja ka si njësi e komunitetit shqiptar të Parmës që nuk duket të jetë një prani e shpërbërë individësh siç janë rëndom emigrantët shqiptarë në qytetet italiane. Pikë bashkimi ku edhe është ngjizur me kohë embrioni i shoqatës së shqiptarëve të Parmës ka qenë një pikë shitjeje prodhimesh informatike në pronësi të Durim Likës, tek i cili vinin shumë shqiptarë, duke u shndërruar kështu në një qendër takimesh ndërshqiptare. Ndër ta edhe shumë sipërmarrës, pjesëtarë të listës së gjatë të shqiptarëve të suksesshëm, dhe atyre mijëra sipërmarrësve që kanë dëshmuar suksesin shqiptar në Itali. Kështu krahas kohezionit shoqëror dhe miqësisë së emigrantëve të Parmës, shoqatës i janë shtuar pa sforcime edhe fondet të cilat janë në fund të fundit lënda lëvizëse e veprimtarisë së shoqatave. Kjo ka bërë që prej 2006-ës, vitit të regjistrimit të saj, të vinin dy vjet të ngjeshur me veprimtari e iniciativa nga më të ndryshmet që e kanë shpënë "Scanderbeg-un" e Parmës shumë larg pikënisjes dhe synimeve të fillimit. Për më tepër pjesëmarrja e këtij lloji ka sjellë natyrisht edhe pavarësinë e plotë të shoqatës, e cila nuk ka pasur nevojë të trokasë dyerve të fonde-dhuruesve për të siguruar mbijetesën e plotë. Përkundrazi vetëfinancimi ka siguruar edhe donacione dhe ndihmë edhe në situata jo drejtpërdrejt të lidhura me qëllimshmërinë e një shoqate emigrantësh.

Sot shoqata numëron 250 anëtarë të regjistruar rregullisht. "Kjo shifër do të thotë se në çdo 2 familje shqiptare që jetojnë në Parmë, njëra prej tyre ka një anëtar pjesëmarrës në shoqatën tonë" sqaron Durimi. Si e tillë veprimtaria e tyre kryesore që në themelim të saj ka qenë kohezioni ndërshqiptar, për të krijuar ambientin e nevojshëm që familjet dhe veçanërisht fëmijët e tyre të mund të jetojnë në një ambient shqiptar, pa humbur gjuhën dhe kulturën prej nga vijnë. "Nuk është e vërtetë motoja se shqiptari ka frikë nga shqiptari, përkundrazi jemi një popull i mrekullueshëm" entuziazmohet kryetari i shoqatës. "Qëllimi ynë kryesor është që fëmijët tanë në Itali të jenë krenarë që janë shqiptarë".

Ndërsa është realizuar ndërkohë edhe një objektiv tjetër që është mjaft domethënës jo vetëm për anëtarët e shoqatës por edhe për gjithë shqiptarët e Parmës. Duket se banuesit e Parmës tashmë nuk u tremben shqiptarëve "të rrezikshëm" e të "panjohur" por kanë përmirësuar opinion për ta ose të paktën nuk i konsiderojnë ata më si të panjohur por si një komunitet i suksesshëm, veprimtaritë kulturore e prezantuese të të cilëve reklamohen përditë nëpër faqet e gazetave lokale dhe janë të prekshme e të jetueshme rrugëve e shesheve të qytetit të tyre. "Opinioni i parmigianëve ndaj shqiptarëve është shumë më ndryshe nga ç'është në qytete të tilla sepse ua kemi vrarë veshin me praninë tonë, me kulturën tonë" thonë përfaqësuesit e shoqatës. Nuk kishte si të mos angazhoheshin në fushatën antiraciste duke qenë pikërisht shqiptarët një ndër viktimat e verbërisë veçanërisht të shtypit italian. Kështu përveç bombardimit kulturor me copëza Shqipërie të instaluara herë pas herë në Parma nuk kanë munguar as aktivitetet nëpër shkolla, me lojën e njohur të shoqërimit të fytyrave të keqbërësve me arbitraritetin e kombësive. "Shkuam nëpër shkolla, dhe përziemë fotot e shqiptarëve nga kronika e zezë e viteve '90, dhe ato të italianëve nga kronika e zezë e emigracionit të tyre, dhe u kërkuam fëmijëve që t'i renditnin siç duhej, dhe fëmijët bënë një mish mash të pazgjidhshëm. Kështu u thamë atyre se krimi nuk ka kombësi e nuk ekzistojnë kombësitë kriminale".

Veprimtaritë e shoqatës bien kryesisht në ditët e festave të njohura për mbrojtjen e të drejtave të caktuara, në ditën e grave, në atë të fëmijëve, por edhe në veprimtaritë ndërkulturore që bashkitë italiane kanë filluar të organizojnë dendur kohëve të fundit. Nëpër të tilla veprimtari shqiptarët e Scanderbeg-ut nuk mungojnë kurrë. Në kuadrin e objektivave të fillimit krahas solidariteti dhe qëndrimit të shqiptarëve midis tyre ka qenë edhe mbështetja e njerëzve në nevojë. Kanë qenë të shumtë ata të cilëve u është ofruar ndihmë financiare nga shoqata, në përballimin e sëmundjeve, shpenzimeve funerale, apo lehtësim ekonomik në rast humbjeje të një pjesëtari të familjes, ku nuk kanë munguar as italianët në nevojë, rasti më i fundit një djalë i vogël me sëmundje të pashërueshme. Një shumë prej 750 eurosh është nisur prej tyre edhe për viktimat e tragjedisë së Gërdecit, përveç ndihmës së menjëhershme nëpërmjet dhurimit të gjakut.

Veprimtaritë e shoqatës nuk mbarojnë këtu. E ardhmja premton rritje cilësore e konsolidim të iniciativave. Mjafton të përmendet krijimi i një grupi artistik, e madje edhe një skuadre futbolli, që do të jetë aktive që nga vjeshta e ardhshme e regjistruar tashmë me emrin Scanderbeg në kategorinë e tretë. Ekipi multietnik do të përfshijë shqiptarë, italianë, dhe është i hapur për këdo qoftë. 

Marjola Rukaj, shtator 2008