Flukset 2017. 17 mijë sezonalë për të mbledhur frutat e perimet Made in Italy - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Coldiretti: “Më shumë kuota se vitin e shkuar dhe hyrje me të thjeshta. Nga luleshtrydhet e Veronës te mollët e Trentinos, punonjës të huaj të mirintegruar në shumë distrikte bujqësore”

Romë, 6 mars 2017 – Shtatëmbëdhjetë mijë sezonalë jokomunitarë që mund të vijnë për të punuar në Itali gjatë vitit 2017. E konfirmon shifrën edhe Coldiretti pas miratimit të dekretit të ri të flukseve, që pritet të botohet në Gazetën Zyrtare.

Risia e këtij viti, siç vë në dukje nga shoqata Coldiretti, është shtimi i kuotave, nga 13.000 të vitit të shkuar në 17.000 të këtij viti për hyrjet sezonale, dhe nga 4.600 të vitit të shkuar në 5.750 të këtij viti për konvertimet e lejeqëndrimeve për punë sezonale në lejeqëndrime për punë të varur.  Këto të fundit do t’u lejojnë shumë ndërmarrjeve bujqësore të kthejnë në të qëndrueshme marrëdhënien që kanë ndërtuar me punonjësit e huaj që vit pas viti kanë sjellë në Itali me dekretet e flukseve sezonale.

Me modifikimin e Tekstit Unik mbi Imigracionin, kujton Coldiretti, rezultojnë të thjeshtuara edhe kriteret për kërkimin e lejeqëndrimit sezonal shumëvjeçar dhe procedura e pranimit të praktikave falë parimit “heshtje-miratim”. Në fakt mjafton që i huaji të ketë pasur lejeqëndrim për punë sezonale të paktën një herë në pesë vjetët e fundit për të pasur të drejtë të përfitojë.

Kërkesat e punësimit do të mund të paraqiten online pas botimit të dekretit të flukseve, nga afati i parë (e ashtuquajtura click day) i përcaktuar për sezonalët deri në fund të vitit 2017.

Në bujqësi, sezonalët do të punësohen për fushatat e mëdha të të korrave dhe mbledhjeve të prodhimtarisë Made in Italy: nga frutat te perimet, nga lulet te vera duke kaluar nëpër fermat e rritjes së kafshëve.

Janë të shumta “distriktet bujqësore”, nënvizon Coldiretti, ku punonjësit imigrantë janë një element i integruar mirë në strukturën ekonomike dhe sociale. Është rasti i mbledhjes së luleshtrydheve në provincën e Veronas, të mollëve në Trentino, të frutave, në përgjithësi, në Emilia Romagna, të rrushit në Piemonte, deri te fermat e bulmetit në Lombardi, ku barinjtë janë kryesisht indianë ndërsa maqedonasit janë të përfshirë kryesisht në blegtori.