Flukset 2017. Teksti i dekretit dhe udhëzimet për kërkesat - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Nga 20 marsi paraqitja e kërkesave për konvertime e hyrje punonjësish josezonalë, nga 28 marsi paraqitja e kërkesave për sezonalët. Por mund të përpilohen që më parë

Romë, 9 mars 2017 – Dekreti i flukseve 2017 do të botohet të hënën e ardhshme në Gazetën Zyrtare dhe do të autorizojë 30.850 hyrje dhe konvertime lejesh qëndrimi. Edhe këtë vit, kërkesat e ndërmarrjeve dhe të punonjësve të huaj do të nisin nga data të caktuara dhe do të paraqiten vetëm online përmes portalit të ministrisë së Brendshme https//:nullaostalavoro.dlci.interno.it. 

Nga 14 marsi do të jetë e mundur të përpilohen e të ruhen kërkesat për konvertimet e lejeve të qëndrimit dhe për hyrjet për punë josezonale të varur dhe të pavarur. Për t’i nisur, duhet pritur data 20 mars, dita e shtatë nga shpallja i dekretit në Gazetën Zyrtare. Nga 21 marsi do të mund të përgatiten kërkesat për hyrjet sezonale, por nisjet e tyre online do të jenë të mundura nga 28 marsi, dita e 15-të nga shpallja e dekretit.

Do të ketë kohë deri më 31 dhjetor 2017 për të aplikuar dhe duke parë llojin e kuotave në dispozicion, është e vështirë të mbarojnë shpejt, ndaj, edhe pse kërkesat shqyrtohen sipas rendit kronologjik të mbërritjes, nuk është e nevojshme të nxitohet.

Ky është teksti i dekretit të flukseve 2017 (DPCM 13 shkurt 2017 – Programimi kalimtar i flukseve të hyrjeve të punonjësve jokomunitarë në territorin e shtetit për vitin 2017).  Ndërsa kjo është qarkorja e përbashkët e ministrisë së Brendshme dhe asaj të Punës që shpjegon përmbajtjen e dekretit dhe procedurën për paraqitjen e kërkesave, sipas rasteve.

30.850 kuota janë të ndara si në vijim:

Hyrje

17.000 hyrje për punonjës sezonalë për sektorin bujqësor dhe turistik (2.000 nga këto u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare). Punonjësit mund të jenë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia por edhe Bosnje-Hercegovina, Bregu i Fildishtë, Algjeria, Egjipti, Etiopia, Filipine, Gambia, Gana, India, Japonia, Korea e Jugut, Maroku, Mauricius, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Sudani, Ukraina dhe Tunizia. Shtetësia nuk ka rëndësi për ata që kanë qenë këtu si sezonalë gjatë viteve të shkuara.

500 hyrje për punonjës të huaj josezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;

100 punonjës të pavarur apo të varur josezonale me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;

2.400 hyrje për punonjës të pavarur sipërmarrës që kryejnë aktivitet me interes për ekonominë italiane që do të angazhojnë burime financiare të ligjshme për të paktën 500 mijë euro e do të krijojnë të paktën tre vende të reja pune, profesionistë; figura të rëndësishme shoqërish private shprehimisht të parashikuara nga dekreti ndërministror nr. 850 i 11 majit 2011; artistë me famë ndërkombëtare apo me kualifikim të lartë profesional të kërkuar nga ente private e publike sipas kritereve të parashikuara shprehimisht nga dekreti ndërministror nr. 850 i 11 majit 2011; qytetarë të huaj për ngritjen e sipërmarrjeve “start-up innovative” sipas ligjit 221 të 17 dhjetorit 2012, në prani të kritereve të parashikuara nga i njëjti ligj dhe në favor të të cilëve ka marrëdhënie pune e karakterit autonom me sipërmarrjen;

Konvertime

Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:

5.750 lejeqëndrimeve për punë sezonale;

4.000 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

500 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;

Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur të:

500 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

100 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.

Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)