Flukset për punonjësit sezonalë: nis sot paraqitja on line e kërkesave - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Nga ora 08.00 mund të nisen kërkesat për punësimin sezonal të punonjësve rezidentë jashtë Italisë. Do të autorizohen, maksimumi, 35 mijë ardhje

Romë, 20 prill 2012 – Nga ora 8.00 e mëngjesit të sotëm mund të paraqiten kërkesat e punësimit për 35 mijë punonjës sezonalë që do të vijnë në Itali për sektorët e bujqësisë dhe të turizmit dhe hoteleve.

Dekreti i flukseve që autorizon ardhjen e 35 mijë punonjësve sezonalë është botuar dje në Gazetën Zyrtare. Kjo do të thotë që nga ora 8.00 e mëngjesit të sotëm, punëdhënësit (personalisht apo me ndihmën e shoqatave të kategorive dhe të konsulentëve të punës) mund të paraqesin kërkesat on-line.

Gjithçka bëhet në faqet internet nullaostalavoro.interno.it, ku prej javësh mund të përgatitet kërkesa për ta nisur më pas në çastin e duhur. Mjafton të regjistrohen, të mbushin formularin C “Richiesta di nulla osta al lavoro subordinato stagionale” dhe më pas ta shpëtojnë. Pasi të kenë bërë këtë, sot mjafton të hyjnë sërish në internet, në të njëjtat faqe, me adresën e mail e fjalëkalimin e vt, dhe të nisin kërkesan e përgatitur.

Sipas dekretit, mund të thirren punonjës sezonalë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Algjeria, Bangladeshi,  Egjipti, Filipine, Gambia, Gana, India, Maroku, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistan, Senegal, Serbia, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia.

Në kuotën e 35 mijë hyrjeve bëjnë pjesë edhe ata punonjës që kanë qenë në Itali për dy vjet rresht dhe për të cilët ndërmarrjet do të paraqesin kërkesë për nulla osta shumëvjeçare. Kjo do të bëjë të mundur që punonjësit të vijnë në Itali vitet e ardhshme me një procedurë shumë më të thjeshtë, “me thirrje të drejtpërdrejtë”, pa qenë të varur nga botimi i dekretit të flukseve.

Pavarësisht nga shtetësia, mund të hyjnë edhe të gjithë ata që vitin e shkuar kanë qenë në Itali për punë sezonale. Për këta, edhe nëse Sporteli Unik për Imigracionin nuk përgjigjet brenda 20 ditëve nga paraqitja e kërkesës së punësimi, kjo nënkuptohet e pranuar dhe punonjësi mund të shkojë në konsullatë të marrë vizën e hyrjes.

Shkarko dekretin e botuar në Gazetën Zyrtare të 19 prillit 2012