Gjithnjë e më shumë martesa të huajsh në Itali - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Në pjesën dërrmuese të rasteve janë martesa të përziera, kryesisht me nusen të huaj e dhëndrin italian. Gjatë vitit 2008 janë celebruar 1.307 martesa me dhëndrin ose nusen shqiptare dhe 229 me të dy shqiptarë

Romë, 9 prill 2010 – Në Itali shtohen nga viti në vit, me ritme të larta, çiftet me të paktën njërin prej bashkëshortëve qytetar të huaj: 36.918 martesa gjatë vitit 2008, 15% e të gjithave, kundrejt 4,8% të vitit 1995. Dukuria është një nga treguesit e më domethënës jo vetëm të rritjes së numrit të të huajve por më shumë të integrimit të komuniteteve të huaja në shoqërinë Italiane. Kjo është fotografia më e fundit e ISTAT-it, që jep të dhënat e vitit 2008.

Nga martesat e të huajve, ato që kanë vetëm njërin prej bashkëshortëve të huaj përbëjnë shumicën e rasteve, 66,5%, rreth 24.550 celebrime në 2008-tën. Për shqiptarët kjo përqindje është edhe më e lartë, 85,1%. E thënë ndryshe, nëse shqiptarët martohen mes tyre, zgjedhin të martohen në Shqipëri; celebrojnë martesën në Itali kryesisht kur një prej bashkëshortëve të ardhshëm është italian. Gjatë vitit 2008 janë celebruar 1.307 martesa me dhëndrin ose nusen shqiptare dhe 229 me të dy shqiptarë.

Ndër çiftet e përziera, më të shpeshtat janë ato me nusen të huaj dhe dhëndrin italian: 18,240 martesa të celebruara gjatë vitit 2008 kanë pasur nusen të huaj e dhëndrin italian dhe vetëm 6.308 kanë qenë të tipit tjetër. Në rastin e shqiptarëve, ky dallim është shumë më i vogël, praktikisht djemtë tanë janë po aq të pëlqyeshëm sa edhe vajzat. Gjatë vitit në shqyrtim ka pasur 738 martesa mes vajzash shqiptare dhe djemsh italianë dhe 569 mes djemsh shqiptarë dhe vajzash italiane.

Në përgjithësi, italianët parapëlqejnë të martohen me vajza rumune (2.506) dhe ukrainase (1.940). Ndërsa italianet parapëlqejnë djemtë marokenë (1.399) dhe shqiptarë (569).

Shkarko të dhënat Istat