Gjykatësit dënojnë komunën e Montichiarit për diskriminim të imigrantëve - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Gjykata Civile e Brescias konsideron diskriminuese kërkesat e karakterit ekonomik vetëm ndaj të huajve për njohjen e rezidencës

Gjykata Civile e Brescias është shprehur mbi mënyrën e regjistrimit të rezidencës së të huajve në komunën e Montichiarit. Vendimi i gjykatës godet pa i njohur asnjë rrethanë lehtësuese komunën e udhëhequr nga kryebashkiakja legiste Elena Zanola. Gjykatësit e konsiderojnë “me karakter diskriminues” qarkoren e shpërndarë për disiplinimin e dhënies së rezidencës emigrantëve të rregullt. Praktikisht gjykatësit kanë pranuar ankimimin e paraqitur nga një i huaj rezident prej vitesh në Itali, nga ASGI (shoqata e studimeve juridike mbi imigracionin) dhe nga Fondacioni Piccini, gjë që mund të krijojë një precedent juridik dhe të detyrojë entet publike të udhëhequra nga Lega të rishqyrtojnë normat që kanë shpallur së fundi për regjistrimin e të huajve në zyrat e gjendjes civile.

municipio montichiari.jpgÇështja ka plasur në fillim të marsit kur ASGI dhe Fondacioni Piccini kanë ngritur zërin kundër qarkores komunale ku renditen dokumentet që duhet të paraqesë një i huaj kur kërkon regjistrimin në zyrën e gjendjes civile. Mes këtyre dokumenteve edhe rrogën e fundit, deklaratën e të ardhurave dhe një kopje të kontratës së punës. Është bërë sebep, rasti ekstrem i një të huaji prej njëzet vjetësh në Itali për bashkim familjar, dhe që me humbjen e vendit të punës, vitin e shkuar i është pezulluar edhe rezidenca për shkak të mungesës së të ardhurave. Fakti që “një italiani nuk i kërkohen dokumente mbi të ardhurat, dëshmon që kemi të bëjmë me një episod diskriminimi” të mjaftueshëm për ASGI-n dhe Fondacionin Piccini për të hedhur në gjyq komunën.

As një muaj nga ankimimi, gjykata civile e Brescias u ka dhënë të drejtë ankimuesve , duke e urdhëruar komunën të mos mbajë parasysh qarkoren “për kërkesat e regjistrimit në zyrat e Gjendjes

Civile të popullsisë rezidente” sepse ajo përcakton “kushte që nuk parashikohen nga ligji”.

E gjitha në emër të “barazisë së trajtimit mes të huajve dhe shtetasve italianë për çështje që lidhen me të drejtat civile”. Por nuk mbaron me kaq: gjykata ka lëshuar sentencë me pasoja retroaktive duke urdhëruar komunën “të regjistrojë të huajin e ankimimit duke filluar nga 30 qershori 2009”, dhe të paguajë edhe shpenzimet e procesit gjyqësor për një shumë prej 4.500 eurosh.

Komentojnë të lumtur nga ASGI. Avokati Guariso thotë se “shtrëngimet e vendosura nga komunat janë absurde. Siç e thotë shumë qartë edhe ligji, leja e qëndrimit është dokumenti i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për regjistrimin në zyrat e Gjendjes Civile. Çdo shtrëngim i mëtejshëm, jo vetëm shkel dinjitetin e imigrantëve por duhet konsideruar diskriminues. Mes të tjerash nuk kuptohet se si mund të shkojë në favor të sigurisë mosdhënia e rezidencës shtetasve të huaj. Në këtë mënyrë krijohen fantazma që dalin jashtë çdo kontrolli të mundshëm”.