Hakiu, çiklisti që nuk dorëzohet - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Romë 12 maj 2010 – Ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, priti dje në zyrën e tij Haki Dokun, çiklistin  shqiptar me aftësi të kufizuara që dëshiron të përfaqësojë ngjyrat e Shqipërisë në Lojërat Paraolimpike të Londrës së vitit 2012. i pranishëm edhe nën kryetari i Grupit Sportiv Rancilio të Milanos, Roberto Rancilio.

Hakiu e Roberto tregojnë shkurtimisht se ç’është sporti Handbike, që është njohur si lojë olimpike në vitin 2004, në Olimpiadën e Athinës, garat e shumta që duhet të bëjë çiklisti para se të arrijë deri në paraolimpiadën e 2012-tës në Londër. Dhe për t’ia arritur kësaj, nuk mjafton vetëm stërvitja e përditshme e Hakiut (“dy orë çdo mbrëmje vonë në garazhin e shtëpisë, pas tetë orëve punë dhe dy orëve të tjera me djalin, Marion” tregon ai vetë) dhe as mirëkuptimi e dashamirësia e GS Rancilios (nuk mund të bëjnë shumë për garat ku duhet të përfaqësoj Shqipërinë) nevojitet mbështetja institucionale e Komitetit Olimpik shqiptar dhe ndihmë ekonomike (“deri sot është përfaqësuar duke blerë vetë edhe bluzën e uniformës e duke paguar nga xhepi edhe hotelin apo biletën kur shkon jashtë Italisë” shpjegon Rancilio). Ndihmë, në këmbim të të cilës, Hakiu e Roberto shpjegojnë se ç’mund të ofrojnë, që nuk është thjesht pjesëmarrje e një atleti në një garë ndërkombëtare por një përfaqësim shumëplanësh i Shqipërisë kudo që Hakiu të shkojë për të garuar. Vetë Hakiu e sheh pjesëmarrjen e tij në garë “si një pjesë të vogël të Shqipërisë që zhvendoset nga një vend në tjetrin, ku ngre ‘shtëpinë e Shqipërisë’. Me ndonjë mundim të vogël si një sit web të përditësuar apo “DokuNews”–letër elektronike italisht e shqip me risitë më të fundit nga garat e tij që t’u dërgojë federatave të ndryshme, mediave, komuniteteve të shqiptarëve në shtetet ku garon, mundohet të kthejë pjesëmarrjen në garë edhe në një eveniment të vogël për komunitetin shqiptar në atë vend. Falë marrëveshjeve që GS Rancilio po lidh me Fiatin shumë shpejt Hakiu mund të ketë një makinë të posaçme në dispozicion për udhëtimet e tij, makinë që mund të personalizojë me stema dhe logo të institucioneve e firmave shqiptare që do t’i ofrojnë ndihmën e tyre. E përveç të gjitha këtyre, Hakiu thotë se është i gatshëm të japë përvojën e tij në Shqipëri, e për këtë e vë veten në dispozicion të cilitdo institucion që mbulon aspekte të ndryshme të jetës së personave me aftësi të kufizuara, apo duke sjellë në Tiranë edhe një garë me Handbike, gjë që mund të arrijë përmes GS Rancilio-s dhe Federatës evropiane të këtij sporti.

Ambasadori Kola e njeh prej vitesh Hakiun dhe arritjet e tij. “Institucionet shqiptare jo vetëm duhet të ndihmojnë për duhet të falënderojnë njerëz si Hakiu. Nuk kemi shumë atletë që na përfaqësojnë në lojëra olimpike”. Ai tregohet i gatshëm të bëjë gjithë ç’ka në dorë: “Por Ambasada nuk mund të financojë asgjë të këtij lloji, por mund t’u përcjellë këtë çështje institucioneve kompetente”. E ka bërë këtë gjë edhe më parë, pas një letre që i kish nisur GS Rancilio por nuk ka marrë asnjë “mbështetje mbi këtë aspekt nga Shqipëria”. Megjithatë shprehet optimist për të ardhmen, dhe se do t’i përcjellë Agim Fagut, presidentit të KOKSh-it, çështjen e Hakiut, madje tregohet i gatshëm të shkojnë edhe së bashku ta takojnë, po të jetë e nevojshme.

Pas takimit, Hakiu i kthehet stërvitjes: të shtunën e pret një garë e rëndësishme për kampionatin Europian në Schenkon (Zvicër) dhe të dielën një tjetër për kampionatin italian në Parma.

Keti Biçoku

Lexo edhe Haki Doku: "S'ka më bukur se të jesh i pavarur"