INPS zbaton urdhëresën e gjykatës së Milanos: 800 € për lindjet të gjitha nënave - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Instituti i sigurimeve shoqërore pranon, për efekt të urdhëresës së gjykatës së Milanos, t’u shtrijë të drejtën e çmimit të lindjeve edhe të gjitha nënave të ardhshme rezidente të rregullta në Itali, edhe nëse ato janë të huaja e nuk kanë kartën e qëndrimit

Roma, 19 shkurt 2018 – Një lajm i mirë vjen për shumë nëna të reja. Më në fund, instituti italian i sigurimeve shoqërore INPS vendos që t’ua njohë çmimin për lindjet dhe birësimet të gjitha nënave të huaja rezidente në Itali.

E bën me një mesazh të datës 13 shkurt 2018 me të cilin praktikisht zbaton urdhëresën e 12 dhjetorit 2017 të gjykatës së Milanos me të cilën gjykatësit kishin deklaruar diskriminues qëndrimin e INPS-t, i cili, në shkelje edhe me vetë ligjin që parashikonte çmimin prej 800 €, ua kishte njohur këtë të drejtë vetëm nënave me kartë qëndrimi apo lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë.

Më në fund INPS përmbush kështu detyrimin e gjykatës dhe ndryshon qëndrim duke ua shtrirë të drejtën e këtij çmimi në para “të gjitha nënave të ardhshme me qëndrim të rregullt në Itali që paraqesin kërkesë e që përmbushin kriteret e tjera të parashikuara për përfitimin e këtij bonusi. Në mesazh, INPS specifikon se ka modifikuar procedurën e paraqitjes telematike të kërkesës në mënyrë që t’u lejohet aplikimi edhe nënave që kanë lejeqëndrim të thjeshtë dhe jo kartë qëndrimi. Parashikohet gjithashtu edhe rishqyrtimi i kërkesave të hedhura poshtë më parë, por me kërkesë të të interesuarës që duhet të paraqitet pranë një INPS-it të zonës e të përpilojë një formular të posaçëm.

Megjithatë, çështja nuk është përfundimisht e zgjidhur pasi mesazhi i INPS-it mbyllet me paragrafin që thotë se INPS ruan të drejtën të kërkojë mbrapsht paratë e dhëna nënave pa kartë qëndrimi, nëse gjyqi i apelit që INPS ka paraqitur kundër urdhëresës së Milanos do të vendosë në favor të Institutit të Sigurimeve shoqërore.

Kështu, vendimi i 12 dhjetorit 2017 i çështjes kolektive të ngritur në gjykatën e Milanos nga APN–Avokatë për Asgjë Onlus, ASGI (Shoqata për Studimet Juridike mbi Imigracionin) dhe Fondacioni Guido Piccini për të Drejtat e Njeriut Onlus po garanton, nga njëra anë, të drejtën e trajtimit të barabartë një numri të madh nënash, nga ana tjetër, shmang me mijëra çështje gjyqësore të ngjashme, gjë që në fund të fundit është edhe në të mirë të vetë INPS-it.

Ç’duhet të bëjnë nënat pa kartë qëndrimi që kanë të drejtën e 800 eurove? Ja udhëzimet që jep ASGI:

- Kush nuk ka paraqitur akoma kërkesë mund ta bëjë përmes procedurës së re online brenda një viti nga lindja e fëmijës (për të lindurit nga 1 janari deri më 4 maj 2017 kërkesa mund të paraqitet deri më 4 maj 2018) duke shtypur butonin “Condizioni giuridico fattuali previste dall’articolo 1, comma 353, L. 232/16 (ordinanza del Tribunale di Milano 6019/2017”;

- Kush ka paraqitur njëherë kërkesën online dhe i është hedhur poshtë mund të paraqesë kërkesë rishqyrtimi (përmes formularit të posaçëm) pranë selisë INPS kompetente për territorin ose të paraqesë kërkesë të re online;

- Kush ka paraqitur kërkesë përmes postës elektronike të certifikuar (pec) apo me postë rakomande duhet të riparaqesë kërkesë online (sepse aplikimi me pec apo postë të zakonshme nuk shoqërohet me numër protokolli i domosdoshëm për paraqitjen e kërkesës së rishqyrtimit);

- Kush ka hapur gjyq e është në pritje të vendimit duhet të presë përfundimin e procesit i cili do të vazhdojë rregullisht deri në dhënien e vendimit të gjykatës për shkak të karakterit jopërfundimtar të vendimit të fundit të INPS-it;

- Kush ka marrë tashmë një vendim gjykate të favorshëm mund të marrë çmimin e lindjes siç është vendosur në sentencën e gjyqit të saj pa qenë e nevojshme të kërkojë rishqyrtimin e kërkesës.

Shkarko:
Urdhëresa e gjykatës së Milanos e 12 dhjetorit 2017
Mesazhi i INPS-it i 13 shkurtit 2018
Formulari i posaçëm për të kërkuar rishqyrtimin e kërkesës

 

Advertisement