Kërkesat online të shtetësisë italiane. Nisen vetë apo me pagesë, përjashtohen Patronatet - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Asnjë protokoll mirëkuptimi mes Ministrisë së Brendshme dhe Patronateve që mund të kishin ofruar shërbimin falas. Operatorët e tyre nuk mund të hyjnë në sistemin e ri

Romë, 15 maj 2015 – Të kërkosh online shtetësinë italiane? Urohet të jetë vërtet shumë e lehtë, sepse për këtë gjë nuk mund të mbështetesh te Patronatet.

Natyrisht këto do të vazhdojnë t’u japin këshilla e informacione  imigrantëve që duan të bëhen italianë. Por nuk do të mund të jenë krah tyre për përpilimin e nisjen e formularëve informatikë, as nuk mund të ndjekin rrugëtimin e praktikave. Për arsyen e thjeshtë se në ato praktika nuk do të mund të hyjnë në sistem. 

Problem qëndron në faktin se, ndryshe nga ç’është bërë për përtëritjen e lejeve të qëndrimit e bashkimet familjare, ministria e Brendshme nuk ka lidhur një protokoll mirëkuptimi me patronatet për kërkesat e shtetësisë online. Vetëm falë një protokolli, operatorët e patronateve do të kishin mundësi të hynin në sistem, të përpilonin formularët për të gjithë të huajt që u kërkonin ndihmë dhe të ndiqnin më pas rrugëtimin e praktikave.

Ka pasur negociata të gjata mbi këtë çështje por deri tani nuk është arritur asgjë. Me sa duket, fillimisht është vënë theksi mbi probleme privatësie, meqë në kërkesën e shtetësisë hyjnë edhe dokumente të ashtuquajtura “të ndjeshme” si certifikata penale. Gjithsesi nuk u arrit në një mirëkuptim edhe kur këto probleme sikur u kapërcyen, me përfshirjen në diskutim edhe të Garantit.

Mbi arsyet e moslidhjes së një marëveshjeje ministri-patronate qarkullojnë versione të ndryshme. Njëra është që kërkesa e shtetësisë është një akt vulnetar, ndaj është mirë që italiani i ardhshëm të paraqesë kërkesën personalisht. Një version tjetër është që ministria e Brendshme nuk donte që “çfarëdo shoqate e vogël” të mund të shtinte në dorë praktika kaq delicate.

Por të gjitha këto dyshime bien poshtë përballë asaj që mund të ndodhë nga e hëna e ardhshme 18 maj. Me lënien jashtë loje të patronateve, kujt mund t’u drejtohen të gjithë ata që me kompjuterin nuk janë shumë të zotët apo ligjin e shtetësisë nuk e njohin edhe aq mirë?

Natyrisht shumë profesionistëve ekspertë dhe të zotë, avokatë, konsulentë e agjenci praktikash për imigracionin, të gatshëm të ofrojnë shërbimet e tyre, por natyrisht kundrejt një pagese. Ndërsa patronatet do të kishin përpiluar dhe nisur kërkesat e shtetësisë falas, siç bëjnë prej kohësh për përtëritjet e lejeqëndrimeve e bashkimet familjare. 

Rreziku më i keq, ama, është që të fryhen radhët e sekserëve të pakualifikuar e shoqata të paskrupullta që do të përpilojnë kërkesat shkel e shko, por duke ofruar tarifa më të ulëta se profesionistët.

Sa e sa prej këtyre të fundit do të gënjejnë klientët e tyre duke u thënë se përmbushin kriteret edhe kur kjo nuk është e vërtetë? Sa praktika që kanë për fat vetëm hedhjen poshtë, që nuk do të paraqiteshin nga operatorë ekspertë, do të ngadalësojnë edhe më tej punën e Prefekturave?

Kërkesat e shtetësisë online duhet të ishin një thjeshtëzim, por nisja me një zgjedhje që i bën më të vështira, nuk duket se shkon në drejtimin e dëshiruar.

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)