Kevin dhe Aurora, emrat më të përdorur për të sapolindurit shqiptarë në Itali - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Vitin e shkuar kanë lindur 72 mijë fëmijë të huaj në Itali, rreth 8 mijë prej tyre shqiptarë. Por ata që kanë të paktën një prej prindërve shqiptar, janë mbi 10 mijë të sapolindur. Shifra vazhdon të bjerë për të tretin vit rresht. Të dhënat e fundit ISTAT

Romë, 30 nëntor 2016 – Vitin e shkuar, në Itali kanë lindur 485.780 fëmijë, rreth 17 mijë më pak se në vitin 2014, gjë që konfirmon prirjen e rënies për të shtatin vit rresht: në vitin 2008 kanë lindur 576.679 fëmijë. Nga të lindurit e vitit të shkuar, 20,7% ose 100.766 kanë të paktën një prej prindërve të huaj, shifër në rënie në krahasim me vitin 2014.

Edhe për komunitetin shqiptar duket sikur numri i të lindurve është në rënie: në vitin 2015 kanë lindur 10.129 fëmijë me paktën njërin prind shqiptar. Në vitet 2014 ishin 10.314  e në vitin 2013 ishin 10.546.

Janë këto disa nga shifrat e raportit më të fundit të Institutit Statistikor Italian, ISTAT, mbi lindjet në Itali për vitin 2015.

Duke parë shtetësinë e prindërve, raporti vë në dukje se janë në rënie lindjet nga të gjitha llojet e çifteve, qoftë ato italiane, qoftë ato të përziera e qoftë ato të përbëra nga dy të huaj. Por gjithsesi rënia e përgjithshme është kryesisht pasojë e lindjeve më të pakta të çifteve italiane (rreth 13.500 më pak se në vitin 2014).

Për të tretin vit rresht, bie gjithashtu edhe numri i fëmijëve me të paktën një prind të huaj: 100.766 në vitin 2015, nga 104.056 të sapolindur në vitin 2014, 104.100 në vitin 2013 dhe 107.339 në vitin 2012).

Bie gjithashtu edhe numri i të sapolindurve me të dy prindërit të huaj, që në 2015 numërohen 72.096 e përbëjnë 14,8% të të gjithë të sapolindurve. Një vit më parë ishin 75.067 e përbënin 14,9% të të gjitha lindjeve.

Po të merret në konsideratë shtetësia e nënave të huaja, njësoj si vitet e fundit, në vend të parë renditen rumunet (19.123 të sapolindur në vitin 2015), në të dytin marokenet (11.888) dhe në vend të tretë shqiptaret (9.257 në vitin 2015,  por ishin 9.606 në vitin 2014 dhe 9.966 në vitin 2013) që përputhet edhe me renditjen e komuniteteve të huaja në Itali.

Më në hollësi, për komunitetin shqiptar, nga raporti shihet që 7.830 fëmijë të sapolindur i kanë të dy prindërit shqiptarë (ishin 8.162 fëmijë në vitin 2014) 872 kanë babanë shqiptar e nënën italiane (kundrejt 708 rasteve të vitit 2014) dhe 1.427 kanë nënën shqiptare dhe babanë italian (ishin 1.444 të 2014-tës), gjë që konfirmon prirjen e shqiptarëve – si edhe të komuniteteve të tjera - për të krijuar familje mes bashkëkombësish.

Rënia e lindjeve mes shqiptarëve justifikohet edhe me faktin që shumë prej tyre po marrin shtetësinë italiane (mbi 35 mijë gjatë vitit të shkuar), ndaj është e vështirë të thuhet sa prej të sapolindurve kanë “gjak shqiptari”, por padyshim numri është më i lartë se 10.129 që jep ISTAT, gjë që e pranon edhe vetë instituti statistikor.

Ç’emra zgjidhen për fëmijët?

Një kureshti e këndshme e trajtuar në raportin ISTAT ka të bëjë me emrat që më shumë përdoren për të sapolindurit. Në përgjithësi, pak a shumë njësoj si një vit më parë, emrat që hasen më shpesh janë Francesco, Alessandro, Mattia për djemtë e Sofia, Aurora e Giulia për vajzat.

Interesante të dhënat mbi të huajt në veçanti. Më të përdorurit, pak a shumë njësoj si gjatë viteve 2012-2014, rezultojnë Adam (492 të sapolindur janë quajtur kështu), Youssef (316) dhe Rayan (309). Për vajzat, emrat e preferuar mbeten Sara (545), Sofia (490) e Aurora (271).

Preferencat e prindërve në zgjedhjen e emrave të fëmijëve, - mes tradicionalëve të kulturës së origjinës dhe atyre italianë apo perëndimorë - ndryshojnë sipas kombësive. Ata që më shumë se të tjerët zgjedhin për fëmijët e tyre emra perëndimorë e jo tradicionalë të kulturës së tyre janë kinezët që në gjendjen civile regjistrojnë fëmijët e tyre me emra italianë si Kevin, Kimi, Matteo, apo Emily, Sofia, Angela. Krejt ndryshe sillen prindërit nga Maroku (Adam, Youssef, Rayan apo Sara, Malak, Amira), India, Tunizia apo Bangladeshi që zgjedhin për fëmijët e tyre kryesisht emra që janë të traditës së vendlindjes.

E shqiptarët? Bëjnë pjesë mes komuniteteve që për fëmijët e tyre zgjedhin emra të huaj. Mes dhjetë emrave të parapëlqyer prej tyre edhe vitin e shkuar nuk ka asnjë të mirëfilltë shqiptar. Emrat që hasen më shpesh mes të sapolindurve në Itali nga prindër shqiptarë janë Aurora (175 vajza të lindura vitin 2015) që në të vërtetë është emër mjaft i përdorur edhe më parë në Shqipëri, Noemi (146), Kevin (100 djem të lindur në 2015-tën), Noel (81), Amelia (80), Andrea (77), Gabriel (76), Mattia (76), Emily (74), Melissa (73).

Të mos keqkuptohemi, askush nuk vë në dyshim që do të ketë prindër që kanë quajtur bijtë e tyre edhe Albana, Arbër, Gent apo Ilir por, sipas të dhënave të ISTAT-it, këta emra janë përdorur më pak se pesë herë. Ndërsa Rozafa apo Teuta, për shembull, nuk është quajtur asnjë prej vogëlusheve të lindura vitin e shkuar.  Për çdo kuriozitet mbi emrat, mund bëni një kërkim në këtë faqe të portalit të Institutit italian të Statistikave: Quanti bambini si chiamano ...?

Istat. Natalità e fecondità della popolazione residente. 2015 

Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)