Konsullatat kroate dhe vizat e transitit - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Falë ndërhyrjes zyrtare të ambasadës shqiptare në Romë, pas ankesave të shumë shtetasve, konsullatat kroate të Milanos dhe Triestes shtojnë personelin dhe rinisin dhënien e vizave të transitit

Romë 26 qershor 2009 - Me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Ambasadorit Llesh Kola dhe të ministrit fuqiplotë Zef Bushati, konsullatat e Kroacisë kanë rinisur dhënien e vizave të transitit, të bllokuara në fillim të majit deri në fund të gushtit, pikërisht në periudhën më të nevojshme për shqiptarët që jetojnë në veri të Italisë.

Një notë proteste e një grupi shqiptarësh që jetojnë në veri të Italisë, si dhe telefonata të shumta personash të veçantë në redaksi na bënë të ditur këtë problem. Për arsye ekonomike dhe komoditeti, janë të shumtë shqiptarët, veçanërisht ata që jetojnë në Italinë e veriut që për të shkuar në atdhe zgjedhin rrugën tokësore, duke kaluar nga Italia në Slloveni e Kroaci, për të mbërritur në Shqipëri. Duke qenë se Sllovenia është në BE, për të udhëtuar nëpër të mjafton leja e qëndrimit, ndërsa për t'u futur në tokën kroate nevojitet akoma vizë transiti, për të cilën shqiptarët fillojnë e mendojnë muaj përpara. Këtë vit, ashtu si edhe vjet - sipas shqiptarëve që na kontaktuan - në maj konsullatat kroate të  Triestes dhe Milanos bllokuan lëshimin e këtyre vizave deri më 20 gusht.

Pas përpjekjesh të shumta për t'u lidhur me Konsullatat dhe Ambasadën kroate, i përcollëm këtë shqetësim ambasadës shqiptare në Romë. Përgjigjja qe thuajse e menjëhershme: ambasada i ka rënë pas kësaj çështjeje dhe e ka zgjidhur brenda një kohe të shkurtër. Me ndërhyrjen e ambasadës sonë, pranë ambasadës kroate, dhe të ministrisë së Jashtme shqiptare - të njoftuar nga ambasada për këtë problem - pranë ministrisë së Jashtme kroate, problemi duket se u zgjidh.

Sipas burimeve nga ambasada shqiptare në Romë, bllokimi i vizave të transitit nga Konsullatat kroate ka për shkak personelin e tyre të kufizuar në numër (konsullatat e Milanos dhe Triestes kishin vetëm një konsull) që nuk arrin të përballojë fluksin e madh të shqiptarëve gjatë periudhës së verës. Ndaj për zgjidhjen e problemit të vizave, u pa e arsyeshme ndërhyrja më lart, në ministrinë e Jashtme kroate, me ndërmjetësimin e ministrisë homologe shqiptare dhe të ambasadës sonë në Zagreb.

Brenda një kohe të shkurtër, ministria e Jashtme kroate me një letër zyrtare ka pohuar se "nuk është e ligjshme të bllokohen vizat transit", thonë në Ambasadën tonë.

"Ambasada kroate, nga ana e saj, pasi komunikoi me Ministrinë e Jashtme kroate ka njoftuar se ka filluar lëshimin i vizave transit për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë për Shqipëri në rrugë tokësore nëpërmjet Kroacisë. Madje, autoritetet kroate kanë shtuar personelin e Konsullatave në Trieste dhe Milano për të përballuar kërkesat për viza dhe shërbime të ndryshme të qytetarëve" bëhet e ditur, në një njoftim për publikun, në faqet internet të Ambasadës shqiptare.