Lamtumirë pensione sociale - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Prindërit tanë nuk mund të marrin më aq lehtësisht pension social në Itali. Nga 1 janari 2009 do të nevojiten, veç të tjerave, edhe 10 vjet rezidencë në Itali për ta përfituar. Dhe duhet të jetojnë këtu, përndryshe u tërhiqen edhe pensionet e kaluar. Kontrollet janë shtuar në gjithë Italinë

Nga 1 janari 2009 do të nevojiten veç të tjerave edhe 10 vjet rezidencë në Itali për të përfituar pensionin social. Tashmë risia është ligj, i shpallur në Gazetën Zyrtare më 21 gushtin e shkuar në brendësi të së ashtuquajturës "manovra financiare e verës".

Siç kemi shkruar edhe në numrat e fundit të gazetës, shtrëngimet "e premtuara" nga qeveria e qendrës së djathtë nuk kanë vonuar të kthehen në realitet. Kështu në nenin 20 të ligjit 133/2008 (që konverton në ligj dekretligjin 112/2008) shkruhet shprehimisht që "duke filluar nga 1 janari 2009, çeku social do t'u jepet të gjithë atyre që e kanë të drejtën me kusht që të kenë qëndruar legalisht në mënyrë të vazhdueshme për të paktën dhjetë vjet në territorin italian".

Në tekstin përfundimtar të ligjit u arrit pas një rrugëtimi disi "të trazuar" parlamentar, gjatë të cilit nuk munguan as gafa trashanike që vinin në rrezik çekun edhe për vetë italianët.

Kështu, teksti fillestar i dekretligjit 112/2008 në paragrafin 10 të nenit 20 shtonte veç kushteve të mëparshme për marrjen e pensionit social, duke filluar nga 1 janari 2009, edhe rezidencën në Itali në mënyrë të vazhdueshme për të paktën pesë vjet. Por në konvertimin e tij në ligj, të miratuar me votëbesim në Dhomën e Deputetëve, me të gjitha modifikimet e amendamentit të Qeverisë me votëbesim më 24 korrik, i njëjti paragraf u ashpërsua edhe më tej duke parashikuar si kusht për marrjen e pensionit social "qëndrim dhe punë të vazhdueshme me të ardhura të paktën sa pensioni social për të paktën dhjetë vjet në territorin italian", ndërhyrje që prekte jo vetëm thelbin asistencial të çekut social (i parashikuar sipas nenit 38 të Kushtetutës në mbrojtje të të moshuarve me pak apo pa të ardhura), por vinte në vështirësi edhe vetë të moshuarit italianë nevojtarë të këtij çeku, pasi, në përgjithësi, rregullat e vlefshme për komunitarët aplikohen edhe për italianët, dhe anasjelltas. Janë të shumtë italianët e moshuar që përfitojnë çekun social por që nuk kanë punuar dhjetë vjet rresht, ç'do të bëhej me ta nëse ligji do të kalonte siç u miratua në Dhomën e Deputetëve, do t'u hiqej edhe atyre e drejta e pensionit? Siç pritej, gabimi u korrigjua kur teksti u shqyrtua nga Senati që, megjithatë, la në fuqi dhjetë vjetët e rezidencës në Itali. Kështu edhe kush merr tashmë pensionin social, mund të mos e marrë më nga 1 janari nëse ende nuk ka mbushur 10 vjetët e rezidencës në Itali.

Duhet thënë që kushti i dhjetë vjetëve rezidencë penalizon jo vetëm të huajt por edhe emigrantët italianë që në moshë të thyer kthehen në atdhe pas emigrimit në vende të ndryshme të botës. Praktikisht edhe këtyre do t'u nevojiten 10 vjet rezidencë në Itali para se të mund të kërkojnë pensionin.

Ndërkohë, krah shtrëngimit të kushteve për marrjen e pensionit, kanë nisur edhe kontrolle në mbarë Italinë për verifikimin e njërit prej kushteve bazë të marrjes së pensionit social, atij të rezidencës efektive, veçanërisht për të huajt. Në këtë aspekt, në fillim të verës, selia qendrore e INPS-it u ka nisur të gjitha zyrave periferike mbi rezidencën efektive të të huajve të vlefshme për përfitimin e çekut social. Në mesazh theksohet se "rezidenca efektive, e qëndrueshme dhe e përhershme në territorin italian është kusht themelor për të drejtën e asistencës në para". INPS-i shpjegon se "selitë periferike duhet të procedojnë me pezullimin e çekut social në rast se përfituesi qëndron jashtë Italisë për një periudhë më të gjatë se një muaj, me përjashtim të rasteve kur kjo ndodh për motive të rënda shëndetësore e të dokumentuara nga i interesuari". Më tej sqarohet se pas një viti nga pezullimi për motivin e sipërpërmendur, selia kompetente, duhet të verifikojë nëse i huaji qëndron apo jo në Itali dhe të vendosë për dhënien apo heqjen përfundimtare të çekut. Në të vërtetë, nuk janë të paktë ata që përfitojnë çekun social e qëndrojnë kryesisht në vendlindje, por duhet thënë që qëndrimi për vetëm 32 ditë në vit (edhe rresht) jashtë Italisë nuk paragjykon të ashtuquajturën rezidencë të qëndrueshme e të përhershme që është kusht për pensionin social ndaj pezullimi i tij në këtë rast duket një abuzim nga anë e INPS-it.

Në mesazh përcaktohen edhe mënyrat e verifikimeve, periodike dhe mjaft të hollësishme, të kushtit të rezidencës efektive. Fillimisht duhet të shqyrtohen situatat që ngjallin dyshime mbi qëndrimin e vazhdueshëm në Itali, si për shembull, kur pensioni nuk tërhiqet rregullisht, kur tërhiqet nga një i deleguar, apo kur pensioni akreditohet në llogari bankare apo postare. Në këto raste duhet të bëhen kontrollet e verifikimet më të përshtatshme, si për shembull, "verifikime në komunën e rezidencës përmes Autoriteteve përkatëse policore; marrjen e deklaratave nga konsullatat; kontroll i vulave të hyrjes dhe të daljes nga territori italian" duke kërkuar ndihmën e policisë municipale apo të autoriteteve të tjera të Sigurisë Publike për hetimet sipas kompetencave që kanë.

Hetimet më të fundit për verifikimin e "rezidencës efektive" të përfituesve të pensionit social janë ato të policisë tatimore të Guardia di Finanza të Kremonës. Policia tatimore zbuloi që ishin të shumtë të huajt që edhe pse të kthyer në atdhe, çdo fund muaji u mbërrinte në llogarinë rrjedhëse një çek prej rreth 400 eurosh, pikërisht çeku apo pensioni social.

Nga hetimet e policisë, një grup të huajsh (me kartë qëndrimi apo që kishin marrë tashmë shtetësinë italiane) kishin sjellë familjarë të moshuar në Itali me praktikën e bashkimit familjar. Me të marrë kartën e qëndrimit dhe me të mbushur 65 vjeçët, familjarët e moshuar paraqisnin kërkesë për çekun social: përmbushnin të gjitha kërkesat e parashikuara me ligj, ndaj edhe çeku u takonte. Gjithçka në rregull, po të përjashtohet fakti që menjëherë më pas ktheheshin të jetonin në atdhe, pa e deklaruar gjëkundi një gjë të tillë. Duke vazhduar të merrnin çdo muaj në llogaritë e tyre rrjedhëse çekun.

Nën hetim ishin vënë 36 persona që të gjithë rezidentë në Cremona që merrnin 395 eurot. Nga këta plot 15 ishin kthyer në vendlindje. Si ia bënin për të marrë paratë nga llogaria? Shumë e thjeshtë: para se të largoheshin nga Italia shkonin në bankë ku i bënin prokurë një familjari të tyre që jeton në Itali që të përdorë normalisht llogarinë. Dhe ishin pikërisht familjarët ata që tërhiqnin parat nga banka e ua nisnin të moshuarve të kthyer në atdhe. Gjatë hetimeve, policia tatimore zbuloi një të huaj që kish sjellë në Itali jo një por tre të moshuar: babanë, nënën dhe vjehrrin. Për të tre bashkë merrte rreth 1.200 euro në muaj. Përfundimet e deritanishme të operacionit hetimor, të quajtur "pensione sociale të transferuara" kanë shtyrë financierët të lajmërojnë për anomalitë INPS-in në mënyrë që t'u bllokojë menjëherë pagesat e çekut, me një kursim për arkat e tij me mëse 60 mijë euro në vit. Forcat e policisë bëjnë të ditur se hetimet janë vetëm në fillimet e tyre pasi kontrollet do të vazhdojnë më tej.

Ndërsa kontrolli i parë që zuri faqet e kronikës në shtyp ishte ai i Albës në qershor: financierët kanë paditur katër të moshuar, dy shqiptarë e dy marokenë me kartë qëndrimi, për vjedhje me mashtrim ndaj INPS-it. Pleqtë janë vërtet mbi moshën 65-vjeçare dhe nuk kanë të ardhura, por nuk janë "efektivisht dhe zakonisht" rezidentë në Alba dhe si të tillë nuk kanë të drejtë të marrin pensionin. Pleqtë jo vetëm kanë humbur të drejtën e pensionit por duhet të kthejnë mbrapsht edhe paratë e marra deri më sot (rreth 25 mijë euro) që sipas financierëve dhe INPS-it i kanë përfituar padrejtësisht.

Keti Biçoku, Bota Shqiptare 200, shtator 2008