Mbërrin çeku 800 € për lindjet, por jo për të gjitha nënat - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Nga sot mund të paraqitet kërkesa për “Çmimin e lindjeve”. Mund ta kërkojnë gratë shtatzëna në muaj të tetë apo janë bërë me fëmijë nga 1 janari 2017. Nuk kanë rëndësi të ardhurat por dokumenti i qëndrimit që gruaja ka në xhep. INPS këmbëngul: “Vetëm për të huajat me kartë qëndrimi apo lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë”

Romë, 4 maj 2017 – Pasi kanë kaluar plot katër muaj nga fillimi i vitit, INPS ka vënë më në fund në dispozicion nga sot procedurën telematike që u lejon nënave të reja apo grave shtatzëna të paraqesin kërkesat për të përfituar “Çmimin e lindjeve”.

Është fjala për 800 euro që u njihet nënave që nga 1 janari 2017 lindin apo birësojnë një fëmijë. I shtohet të ashtuquajturit bonus bebe, “nuk merret parasysh për përllogaritjen e të ardhurave të përgjithshme”, kështu që nuk tatohet, dhe “jepet nga INPS-i në një këst të vetëm, me kërkesë të nënës së ardhshme, pas mbushjes së muajit të shtatë të shtatzënisë ose në çastin e birësimit”. Çeku njihet për çdo fëmijë që lind apo birësohet gjatë vitit 2017.

Për fatin e keq të tyre, në kundërshtim me normativat evropiane, mijëra nëna jokomunitare që kanë një lejeqëndrim të thjeshtë që u lejon punësimin, përjashtohen nga e drejta e këtij çeku që, në rastin e të huajave, u njihet vetëm atyre që kanë në xhep kartën e qëndrimit apo lejen e qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë. E pohoi INPS me një qarkore në shkurt 2017, e konfirmoi në një tjetër në mars, dhe as që e përmendi fare në qarkoren e fundit të shpërndarë në 28 prill. E megjithatë, menjëherë u ngrit zëri kundër kësaj praktike tashmë të zakonshme me të cilën shteti shkel me të dyja këmbët të drejtat e imigrantëve të njohura nga normativat e Bashkimit Evropian, që qëndrojnë mbi normativat kombëtare, patronati INCA paraqiti ankim në gjykatën administrative (TAR) për t’iu kundërvënë qarkores së parë të INPS-it që përjashtoi nga kontributi nënat e huaja pa kartë qëndrimi.

Më kot, deri tani asgjë nuk ka ndryshuar e INPS vazhdon në të vetën e praktikisht shkruan se për të pasur të drejtën e këtij kontributi 800 eurosh, gratë duhet “të kenë rezidencën në Itali, të kenë shtetësinë italiane ose të një shteti të BE-së; shtetaset jokomunitare me statusin e refugjatit politik dhe të mbrojtjes plotësuese trajtohen si shtetase italiane, nëse janë qytetare jokomunitare, të kenë leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë ose një nga kartat e qëndrimit që u jepen familjarëve të qytetarëve të BE-së”.

Inps-i – vë në dukje akoma Inca – nuk ndryshon qëndrimin e marrë me qarkoret e para, pra u mohon të drejtën e përfitimit të kontributit qytetareve të vendeve të treta që nuk kanë dokument qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë, duke futur, në mënyrë arbitrare, kritere shtrënguese për fitimin e çekut të lindjes, të paparashikuara nga ligjvënësi”.