Mbi 35 mijë shqiptarë janë betuar para trengjyrëshit gjatë vitit 2015 - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Janë dhjetëra mijëra në vit shqiptarë të italisë që nuk kanë më nevojë për lejen e qëndrimit sepse betohen t’i jenë besnikë edhe republikës italiane e marrin pasaportën e këtij vendi. Shumë pak ata që e hedhin këtë hap për martesë, gjithnjë e më të shumtë në numër kush e merr pse jeton këtu prej shumë e shumë vjetësh dhe bijtë e tyre të lindur e rritur këtu

Romë, 6 tetor 2016 – 35.134 shqiptarë, që vjet janë edhe italianë. E thënë ndryshe, janë shqiptarë 22% e jokomunitarëve që vjet u bënë italianë. E thotë ISTAT që me raportin “Shtetasit jokomunitarë: prania, hyrjet e reja dhe marrja e shtetësisë” jep shifrat më të fundit edhe rreth komunitetit shqiptar, që tashmë konsiderohet (bashkë me marokenët) si një komunitet “historik” në Itali, i ngulitur dhe i integruar, e që së fundi ka rritje të përvitshme të njohjes së shtetësisë italiane. 

Edhe pse ligji mbi shtetësinë është akoma një garë me pengesa për imigrantët e bijtë e tyre, gjatë vitit 2015 kanë marrë shtetësinë 158.891 jokomunitarë (sipas një raporti tjetër, rreth 178 mijë të huaj po të merren parasysh edhe rumunë, bullgarë etj), 32% më shumë se një vit më parë.

Nga rreth 160 mijë jokomunitarët që janë betuar para flamurit italian, thuajse gjysma kanë lindur shqiptarë apo marokenë, që janë edhe dy komunitetet “historike të të huajve në Itali: në fakt, pas 35.134 shqiptarëve renditen 32.448 marokenë. Menjëherë pas tyre por në distancë, renditen indianët me 6.176 shtetësi të marra gjatë vitit të shkuar.

Për sa i përket komunitetit tonë, ritmet vjetore të rritjes së numrit të shqiptarëve që bëhen italianë janë të larta: 66% më shumë se gjatë vitit 2014 kur u betuan para flamurit italian 21 mijë vetë. Ndërsa në vitin 2014 u bënë italianë 55% më shumë se gjatë vitit 2013 kur shtetasit shqiptarë që u betuar para trengjyrëshit ishin 13.671. 

Çka vërehet gjithashtu është edhe rënia e numrit të shtetësive të dhëna për martesë, qofë në peshë (në përqindje) e qoftë në vlera absolute e rritja gjithnjë e më shumë, jo vetëm e numrit të shtetësive të dhëna për rezidencë (78.168) por edhe numri i shtetësive që u jepet automatikisht të miturve kur e marrin prindërit apo që zgjedhin të lindurit në Itali kur mbushin 18 vjeç (66.056).

E njëjta tendencë vërehet edhe për komunitetin e shqiptarëve: vjet e kanë marrë shtetësinë për martesë me shtetas italian/e vetëm 1.743 persona (numëroheshin 1.980 në vitin 2014); kanë zgjedhur shtetësinë italiane në moshën 18 vjeçare apo e kanë marrë automatikisht me prindërit 11.923 fëmijë e të rinj (7.272 në vitin 2014); janë bërë italianë sepse kanë qëndruar këtu mbi dhjetë vjet plot 21.468 shqiptarë (nga 11.896 në vitin 2014).

Siç është vërejtur edhe vjet, marrjet e vazhdueshme të shtetësisë italiane, mungesa e flukseve të mirëfillta të punës kanë sjellë një tkurrje të numrit të shqiptarëve me leje qëndrimi. Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme, më 1 janar 2016 numri i lejeve të qëndrimit të lëshuara shtetasve shqiptarë është 482.959, ose 15.460 më i ulët se një vit më parë.

Por nuk mund të themi në asnjë mënyrë që është zvogëluar komuniteti shqiptar në Itali: janë mbi 110 mijë që kanë marrë tashmë shtetësinë italiane, pra nuk kanë më leje qëndrimi (vetëm në vitet 2013-2015 kanë marrë edhe pasaportën italiane 70 mijë shqiptarë).

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)