“Politika italiane njeh e  vlerëson kontributin e komunitetit shqiptar”  - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Për ambasadoren tonë në Romë, zonjën Anila Bitri Lani, kandidimi në zgjedhjet italiane të shumë qytetarëve italo-shqiptarë tregon ndërgjegjësim të lartë të komunitetit që edhe Shqipëria duhet të mbajë parasysh pasi “diaspora mund të kontribuojë pozitivisht edhe në politikën shqiptare, duke sjellë pjekuri, energji, ide të reja”

 

Romë, 20 maj 2019 – Ambasadorja e Shqipërisë në Romë Anila Bitri Lani përshëndet me kënaqësi pjesëmarrjen e shqiptarëve të Italisë në zgjedhjet administrative e evropian. E konsideron këtë fakt jo vetëm dëshmi të integrimit dhe ndërgjegjësimit të shqiptarëve por edhe tregues të vlerësimit nga anë e politikës italiane të kontributit të komunitetit tonë. Shprehet e gëzuar për praninë e shumë grave kandidate që sot përbëjnë “një forcë të kualifikuar” që “kërkon vendin që i takon në shoqëri”.

Për Geri Ballon, si edhe për kandidatët e tjerë shqiptarë nga vende të ndryshme të BE-së, uron që të fitojnë, jo vetëm në të mirë të vendeve ku koandidojnë por edhe të Shqipërisë për të cilën do të ishin “avokatë të fuqishëm që do të lobonin natyrshëm për vendin tonë në rrugën drejt integrimit evropian”. 

E nga ana tjetër, ambasadorja jonë në Romë shprehet e bindur se Diaspora mund të sjellë “më shumë maturi, energji, ide të reja” në politikën shqiptare, ndaj kjo e fundit duhet të tregojë më shumë vëmendje, interesim, projekte dhe angazhim ndaj shqiptarëve jashtë vendit. 

Keti Biçoku: Mbi 130 shqiptarë janë kandiduar në këto zgjedhje, në të katër anët e Italisë e në të gjitha kahet politike. 

Ambasadorja Anila Bitri Lani: Padyshim është diçka shumë pozitive. Fakti që një numër i madh shqiptarësh të Italisë kandidojnë në këto zgjedhje, është një tregues i integrimit të tyre në shoqërinë italiane dhe i ndërgjegjësimit se ata kanë një rol për të luajtur në shoqërinë ku jetojnë.
Pavarësisht nëse fitojnë apo jo, kandidimi i tyre në këto zgjedhje historike për Europën, është për t’u përshëndetur. Nga ana tjetër, fakti që forcat politike italiane të të gjithë spektrit, kandidojnë shqiptarë të Italisë tregon se ato tashmë e njohin dhe e vlerësojnë rolin e komunitetit shqiptar, kontributin e këtij komuniteti në jetën italiane.

Ç’mendoni për kandidimin e shumë grave, kryesisht të reja në moshë?

Ky është një fakt edhe më i gëzueshëm. Kjo tregon se gratë shqiptare në Itali nuk janë më shtëpiaket që lajnë dhe gatuajnë, por janë një forcë e kualifikuar, e aftë, që me shumë sakrifica ka arritur të shkollohet, ndërgjegjësohet dhe sot të shfaqet si një forcë vitale, që kërkon rolin dhe vendin që i takon në shoqërinë e sotme italiane dhe në shtëpinë e përbashkët europiane.

A mund të jetë kjo pjekuri e komunitetit tonë këtu një sinjal edhe për politikën shqiptare që duhet të marrë më shumë në konsideratë diasporën?

Sigurisht! Diaspora jonë që vazhdon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit mund të kontribuojë pozitivisht edhe në politikën tonë, duke sjellë maturi, energji, ide të reja.

Ndër dhjetëra kandidaturat, padyshim spikat ajo e Geri Ballos, e para shqiptare që kandidon për Parlamentin Evropian.

Ky është një tjetër fakt i  gëzueshëm. Kam patur rastin të shoh nga afër cilësitë dhe aftësitë profesionale të Gerit dhe shpresoj që ajo të fitojë.

Ç’rol mund të kenë Geri Ballo bashkë me kandidatët e tjerë: Gemi në Greqi, Gjanaj në Belgjikë e Dibrani në Suedi, jo vetëm për vendet për të cilat kandidojnë, por edhe në të mirë të integrimit të plotë të Shqipërisë në BE?

Sigurisht, një masë kritike shqiptarësh europianë në Parlamentin Europian do të ishin avokatë të fuqishëm të Shqipërisë, do të përmirësonin imazhin tonë në këtë institucion, do të lobonin natyrshëm për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian. Urojmë që ata të fitojnë, kjo do të ishte një risi pozitive për të gjithë.

A nuk meritojnë këto kandidatura edhe vëmendjen e shtetit shqiptar?

Pyetja juaj ka vetëm një përgjigje: Po. Duke njohur hapat që janë hedhur në vite, sidomos së fundmi, na duhet më shumë vëmendje, më shumë interesim, më shumë projekte dhe më shumë angazhim jo vetëm ndaj këtyre kandidaturave por ndaj gjithë diasporës.

In italiano: "La politica italiana riconosce e apprezza il contributo della comunità albanese"
K.B./Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)