Probleme për praktikat e shtetësisë dhe bashkimeve, portali i ministrisë nuk funksionon - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Problemet vazhdojnë prej dy muajsh. Patronatet Ce.Pa.: “Situata është e papërballueshme. Kështu u shkaktohet një dëm jo i vogël qytetarëve të huaj të cilëve ndërkohë u skadojnë dokumentet e marra në vendlindje

Romë, 2 shkurt 2017 – Sistemi informatik që duhet të sigurojë administrimin e përditshëm të imigracionit në Itali nuk funksionon prej dy muajsh.

Bashkimet familjare, kërkesat e shtetësisë, hyrjet për punë dhe prenotimet e testit të italishtes duhet të kalojnë që të gjitha në një portal të ministrisë së Brendshme, i cili prej fillimit të dhjetorit të shkuar keqfunksionon. Qytetarët e huaj dhe ata që i ndihmojnë për të përpiluar kërkesat ndeshen me pamundësinë për të hyrë në portal, ndërprerjet, mosruajtjen e informacioneve të futura, gjë që i detyron të nisin gjithçka nga e para.

Në fillim të janarit sajti u mbyll për tri ditë për “mirëmbajtje të jashtëzakonshme”, por me sa duket teknikët e ministrisë së Brendshme nuk kanë arritur të zgjidhin problemin. Sot Patronatet Ce.Pa. (Inca Cgil, Inas Cisl, Ital Uil dhe Acli) ngrenë sërish zërin për të denoncuar një situatë tashmë të papërballueshme” dhe i kërkojnë mministrisë “të marrë masat për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve në mënyrë që të shmanget ndërprerja e zgjatur në kohë e rrugës së vetme të aplikimit pranë Administratës Publike”.

 

"Mosfunksionimi informatik është kthyer në një problem më serioz - sinjalizon Ce.Pa. - për shumë shtetas të huaj që kanë në duar dokumente që tashmë kanë skaduar apo rrezikojnë të skadojnë pa mundur të bëjnë aplikimin online: bëhet fjalë për dokumente të marra me shumë mund, pas një kohe të gjatë e kosto jo të vogël”. Është rasti i certifikatave familjare apo i atyre penale të domosdoshme për të kërkuar shtetësinë italiane.

"Nëse nuk zgjidhet shpejt ky bllokim teknologjik, përveç problemeve që dalin nga akumulimi i madh i praktikave per tu dërguar, dëmtohen aplikantët huaj dhe familjet e tyre” sinjalizojnë Inca, Inas, Ital dhe Acli që për rrjedhojë kërkojnë “të mos merret në konsideratë për llogaritjen e skadencës së dokumenteve periudha që shkon nga 1 dhjetori 2016 deri ditën kur sistemi të funksionojë plotësisht.