Sërish të mundura aplikimet për shtetësi, bashkim familjar dhe test të italishtes - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
“Mirëmbajtja e jashtëzakonshme” e portalit të ministrisë së Brendshme mbaroi. Të urojmë që problemet e javëve të fundit të mos përsëriten më

Romë, 5 janar 2017 – Më në fund është në funksionim sajti i ministrisë së Brendshme nëpër të cilin kalojnë thuajse të gjitha praktikat e të huajve në Itali, nga shtetësia, bashkimet familjare, testi i gjuhës italiane për kartën e qëndrimit, flukset e hyrjeve e konvertimet e dokumenteve të qëndrimit.

Mëngjesi i sotëm nuk kishte lajme të mira pasi mesazhi i deri djeshëm që lexohej në faqen e parë të portalit ishte zgjatur me 24 orë e sot thonte: “Shërbimi nuk do të jetë i disponueshëm as për të gjithë ditën e 5 janarit 2017”. Fatmirësisht teknikët kanë mundur të zgjidhin problemet e ta vënë në funksionim portalin gjatë pasdites.

Prej disa javëve portali i ministrisë së Brendshme keqfunksiononte: faqe që nuk hapeshin, lidhje që binin e të dhënat e futura që zhdukeshin papritur duke detyruar të huajt që paraqisnin kërkesat dhe operatorët e sporteleve që u vijnë në ndihmë ta nisnin gjithçka nga e para. 

Pasi provuan të zgjidhnin problemin pa e ndërprerë plotësisht shërbimin, ministria u detyrua ta mbyllë nga e marta deri sot pasdreke për “mirëmbajtje të jashtëzakonshme”.

 

Tani që sajti u kthye në funksionim nuk mbetet veç të urojmë që teknikët e ministrisë të kenë rregulluar gjithçka e të huajt e të gjithë ata që i ndihmojnë të mos hasin më problemet e javëve të fundit të vitit që sapo u mbyll.