Shtetësia italiane, kërkesat online. Ja çfarë ndryshon nga 18 maji - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Nga e hëna e ardhshme kërkesa për t’u bërë italian do të niset përmes internetit. Dokumentet do të skanarizohen dhe do t’i bashkangjiten formularit informatik

Romë, 13 maj 2015 – Akoma pak ditë e për të kërkuar shtetësinë italiane do të jetë më e thjeshtë e më e shpejtë: do të mjaftojë një klik.

Nga e hëna 18 maj, vihet në funksionim sistemi i ri online i paraqitjes së kërkesave të shtetësisë, përmes një portali të posaçëm të ministrisë së Brendshme:  https://cittadinanza.dlci.interno.it. Pasi të regjistrohesh dhe të marrësh emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin, do të mund të shohësh formularin informatik në të cilin do të futësh të dhënat personale.

Kërkesës online do t'i baskangjiten, pasi të jenë skanarizuar, një dokument identiteti, dokumentet e lëshuara nga autoritetet e vendlindjes (akti i lindjes dhe dëshmia e penalitetit) dhe kuponi i derdhjes së 200 eurove të parashikuara për ata që kërkojnë të bëhen italianë.

Avantazhi më i dukshëm i kërkesave online është që mund të paraqiten sapo i interesuari ka përmbushur kriteret e parashikuar nga ligji e ka mbledhur dokumentacionin e nevojshëm. Kurse deri më sot, për të paraqitur kërkesën duhej prenotuar një takim në prefekturë, që mund të jepej pas shumë muajve.

Gjithsesi, në fillim sistemi i ri do të bashkëjetojë me të vjetrin. Deri më 18 qershor do të jetë e mundur që kërkesat të dorëzohen dorazi pranë prefekturave. Më pas, ai kanal do të mbyllet e të gjithë atyre që duan të bëhen italianë do t’u duhet të ulen para kompjuterit.

Në ditët e ardhshme do të botojmë informacione më të detajuara mbi procedurën e re.  

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)