Shtetësia italiane. Udhëzues on-line i ministrisë së Brendshme - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Rregullat e procedura e marrjes së shtetësisë. Për më tepër, edhe të dhëna të përditësuara mbi numrin e shtetësive të dhëna.

Romë, 15 tetor 2011 – Si të marrësh shtetësinë italiane? Ka kohë rezidencë duhet të kesh në Itali? Sa janë të ardhurat e nevojshme? Cilat janë etapat e procedurës së shtetësisë? Të gjitha këto gjenden tani edhe në sitin www.interno.it të ministrisë së Brendshme italiane. Në 11 faqe, tregohen në mënyrë koncize parimet, rastet e ndryshme të marrjes së shtetësisë në mënyrë automatike, të njohjes së shtetësisë për martesë apo natyralizim, dokumentet e nevojshme dhe paraqitja e tyre, rrugëtimi administrativ i praktikës së shtetësisë, por edhe mënyra e kontrollit on-line e përparimit të kërkesës së shtetësisë.

Veç këtyre, edhe shifrat më të përditësuara mbi shtetësitë e dhëna gjatë tre vjetëve të fundit.

Në trevjeçarin e fundit, numri i qytetarëve italianë shtohet çdo vit me mbi 40 mijë italianë të rinj, që për rezidencë të rregullt apo për martesë me shtetas italianë marrin shtetësinë italiane. Më saktësisht, gjatë vitit të fundit, janë 40.223 të huajt që kanë marrë shtetësinë vitin e shkuar: 18.593 vetë për martesë me një shtetas italian dhe 21.630 për natyralizim.

Mbi 5.600 shqiptarë janë betuar para flamurit trengjyrësh gjatë vitit të shkuar. Më saktësisht, janë 5.628 shqiptarët që gjatë vitit të shkuar kanë marrë shtetësinë italiane, vetëm për rezidencë (4.462 persona) apo për martesë (1.166). Pa marrë parasysh të rinjtë 18-vjeçarë, të lindur në Itali, që kërkojnë dhe marrin edhe shtetësinë italiane me anë të një procedure të veçantë në komunë. Janë këto të dhënat më të fundit që ministria e brendshme ka dhënë bashkë me udhëzuesin për marrjen e shtetësisë.

 
 
 
Shkarko Udhëzuesin