Shtetësia për martesë më e shpejtë. Nga 1 qershori vendosin prefektët - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
U jepet prefektëve kompetenca për njohjen apo mohimin e shtetësisë italiane bashkëshortëve të huaj të shtetasve italianë. Mbeten në kompetencë të ministrisë së Brendshme rastet kur rrezikohet siguria kombëtare. Botohet më 25 prill në Gazetën Zyrtare direktiva e ministrit të Brendshëm Cancellieri.

Romë, 26 prill 2012 – Ndoshta këtej e tutje, të huajve nuk do t’u duhet të presin 3-4 vjet nga paraqitja e kërkesës, për të marrë dekretin e shtetësisë. Këtë përpiqet të arrijë vendimi i fundit i ministrit të brendshëm për decentralizimin e një pjese të praktikave nga ministria e Brendshme te prefekturat.

Nga 1 qershori 2012, kompetenca e njohjes së shtetësisë italiane për martesë kalon nga ministria e Brendshme te prefektët. Këtë parashikon direktiva e 7 marsit 2012 e ministrit të Brendshëm Annamaria Cancellieri e botuar më 25 prill në Gazetën Zyrtare. Kjo masë merret për të rritur efikasitetin e administratës në interes të qytetarëve, me fjalë të tjera për t’i bërë ballë në njëfarë mënyre fluksit gjithnjë në rritje të huajve në Itali e për rrjedhojë rritjes së numrit të praktikave për njohjen e shtetësisë italiane.

Sipas Cancellierit, ka ardhur tashmë koha që kompetencat për njohjen e shtetësisë për martesë, deri më sot të përqendruara në ministrinë e Brendshme, pra në një autoritet politik, t’u kalojnë prefektëve sepse bëhet fjalë për “vendime që nuk kanë nevojë për vlerësim vetëgjykues e aq më pak ‘politik’, që mund të merren menjëherë me t’u verifikuar nëse përmbushen apo jo të gjitha kriteret e parashikuara me ligj e nëse mungojnë apo jo dënimet për disa vepra penale të caktuara”.

Mbetet në dorë të kreut të Ministrisë së Brendshme hedhja poshtë e kërkesës për arsye penguese që lidhen me sigurinë e Republikës si edhe të pranojë vendimin e Këshillit të Shtetit në rast se ky është i mendimit se arsyet e mësipërme nuk ekzistojnë.

Në rast se bashkëshorti i huaj ka rezidencë jashtë Italisë, dhënia apo jo e shtetësisë italiane është kompetencë e kreut të departamentit për Liritë Civile dhe Imigracionin e ministrisë së Brendshme

Direktiva synon që “të thjeshtësojë procedurat e marrjes së shtetësisë për martesë” dhe “ përbën një pjesë thelbësore të politikave të integrimit të atyre të huajve që, përmes lidhjes martesore, bëhen pjesë përbërëse e komunitetit kombëtar, duke u angazhuar të respektojnë, të përkrahin e të promovojnë vlerat bazë të Republikës Italiane”.

Keti Biçoku

Shkarko direktivën e ministrit të Brendshëm “Cittadinanza – Trasferimento ai prefetti della competenza ad emanare i provvedimenti di acquisto della cittadinanza per matrimonio”