Konvertimi i lejeqëndrimit për punë sezonale në lejeqëndrim për punë të varur - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Si mund të përfitohet lejeqëndrim për punë të varur falë flukseve 2018

Romë, 15 shkurt 2018 – Dekreti i flukseve, edhe pse për shqiptarët nuk parashikon ardhje të drejtpërdrejta për punë të varur e për rrjedhojë për një lejeqëndrim afatgjatë, u hap “një dritare” për ta arritur këtë gjë. Përmes kuotave të konvertimit të lejeve të qëndrimit.

Dekreti i flukseve 2018, në fakt, parashikon 18 mijë ardhje për punë sezonale por edhe 4.750 kuota për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur. Dhe ky konvertim, prej nëntorit 2016 - me ardhjen në fuqi të dekretit legjislativ nr. 203 të 29 tetorit 2016 me të cilin Italia përvetësoi “direktivën 2014/36/BE mbi kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të qytetarëve të vendeve të treta për motive punësimi në punë sezonale” - është më i lehtë dhe praktikisht i mundshëm që me ardhjen e parë për punë sezonale. Mjaft që punonjësi të ketë punuar të paktën tre muaj si sezonal dhe, nëse ka në dorë një ofertë pune me kohë të përcaktuar apo të përhershme mund të kërkojë konvertimin e dokumentit të qëndrimit për punë sezonale në lejeqëndrim për punë të varur.
Gjithçka bëhet online përmes portalit të ministrisë së Brendshme https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/, personalisht apo me ndihmën e patronateve dhe për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur përdoret Formulari VB.

E pohon këtë gjë edhe qarkorja shpjeguese mbi flukset 2018 e nxjerrë nga ministria e Brendshme dhe ajo e Punës më 17 janar 2018. Në kapitullin mbi konvertimet në e lejeve të qëndrimit për punë sezonale në lejeqëndrim përpunë të varur, shpjegon se ç’kushte duhen plotësuar.
“Për rastet e konvertimit të lejeqëndrimit si sezonal në lejeqëndrim për punë të varur (Formulari VB)…, - shkruhet në qarkore – duhet mbajtur parasysh se është i mundur konvertimi i lejes për punë sezonale në leje për punë të varur, me kusht që të ketë akoma kuota në dispozicion, vetëm pas të paktën 3 muaj marrëdhënieje të rregullt pune sezonale dhe në prani të kritereve për punësimin me një marrëdhënie pune për kohë të përcaktuar apo pa afat. Për këtë qëllim, Inspektoriatet Territoriale të Punës duhet të verifikojnë përmbushjen e kritereve për lidhjen e marrëdhënies së re të punës, punësimin e mëparshëm si sezonal për të cilin u soll në Itali punonjësi, kohëzgjatjen e marrëdhënies sezonale të punës, pagesat përkatëse të kontributeve në favor të punonjësit për sa kohë zgjati puna sezonale”.

Ministritë sqarojnë në qarkore edhe faktin se “meqë puna në bujqësi e punonjësve sezonalë matet me ditë e jo muaj, për të fituar të drejtën e konvertimit duhet të rezultojë që punonjësi të ketë të paktën 13 ditë pune në muaj, në tre muajt e punës (gjithsej 39 ditë), të mbuluara nga derdhja e rregullt e kontributeve shoqërore”.

Kjo është e vetmja rrugë për të gjithë ata që kanë të njohur e familjarë që mund t’u sigurojnë një vend pune në ndërtim, fabrikë apo si bashkëpunëtor familjar e që me këtë dekret fluksesh nuk mund të sillen drejtpërdrejt për këtë arsye në Itali pasi ai nuk parashikon kuota për ardhje për punë në ndërtim apo si bashkëpunëtore familjare. Më parë duhet të sigurojnë një kontratë pune sezonale e pasi të kenë ardhur për këtë qëllim, të kenë punuar tre muaj si sezonalë, mund të kërkojnë konvertimin, - gjithnjë në kuadrin e dekretit të flukseve – të lejes së qëndrimit si punonjës sezonalë në një lejeqëndrim për punë të varur. 

Nuk është aspak e lehtë, por as e pamundur. Për disa mijëra vetë ka kuota dhe janë në dispozicion deri në fund të dhjetorit 2018.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shkarko Qarkoren e përbashkët të ministrive të Brendshme dhe të Punës mbi Dekretin e Flukseve 2018

Lexo edhe:
Mbërrin dekreti i flukseve 2018. Autorizon 30.850 ardhje dhe konvertime
Flukset 2018. Përgatiten kërkesat për punonjësit josezonalë dhe për konvertimet
Dekreti i flukseve 2018, teksti në Gazetën Zyrtare
23 janar 2018. Nga sot nisen kërkesat për punonjësit josezonalë dhe konvertimet
24 janar 2018. Nis përgatitja e kërkesave për 18 mijë punonjësit sezonalë
Punonjësit sezonalë, nisen kërkesat online të flukseve 2018 – Udhëzues i ilustruar