Taksa mbi lejet e qëndrimit, imigrantët rimbursohen - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
“Pranim i plotë” i ankesës së paraqitur në Napoli nga një familje e huaj me mbështetjen e Inca Cgil. Do t’i kthehen mbrapsht të gjitha paratë të paguara padrejtësisht. E nëse të gjithë kërkojnë me të drejtë paratë mbrapsht, në lojë janë rreth gjysmë miliardi euro

Romë, 20 shkurt 2017 – Kujt i është kërkuar të bëjë një pagesë që nuk duhet të bënte, ka të drejtë t’i kthehen mbrapsht paratë. E thotë Kodi Civil dhe vlen edhe për milionë imigrantë që për vite me radhë, kur u është dashur të kërkojnë e të përtërijnë lejet e qëndrimit u janë kërkuar padrejtësisht të paguanin 80, 100 ose 200 euro më shumë.

Rasti konkret është ai i familjes Compaore, babai punëtor, nëna shtëpiake nga Burkina Faso që jetojnë me gjashtë fëmijët e tyre në Melito, në provincën e Napolit. Një familje të cilës shteti duhet t’i rimbursojë ato para, siç vendosi pak ditë më parë një sentencë civile e Gjykatës së Napolit.

Besoj të gjithë e kuptojnë për çfarë është fjala. Nga tetori i shkuar, kontributi për lëshimin dhe përtëritjen e lejes së qëndrimit nuk paguhet më. U hoq sepse ishte i padrejtë, sepse i tepruar dhe përbënte pengeë për ushtrimin e të drejtave të imigrantëve. Fjalën e fundit e tha Këshilli i Shtetit, në fund të një beteje legale që u çua përpara nga Inca e Cgil dhe zgjati vite.

Ndërkaq, patronati dhe sindikata kanë hapur në mbarë Italinë një seri çështjesh gjyqësore për të kërkuar që të huajve t’u rimbursohen paratë e paguara në të shkuarën. Një prej gjyqeve është nënshkruar nga familja Compaore, dhe më 16 shkurt gjykatësi Fabio Maffei është shprehur për pranim të plotë të ankesës. Gjykatësi ka përshkruar të gjithë historinë legale të taksës mbi lejet e qëndrimit, përmes tre sentencave (Gjykata Evropiane e Drejtësisë, Gjykata administrative e Lazios dhe Këshilli i Shtetit) që e kanë hedhur që të tria poshtë. Në bazë të atyre vendimeve, shkruan, “nuk mund të mos pohojmë që dispozitat që përcaktojnë shumat e kontributit për lëshimin dhe përtëritjen e lejeve të qëndrimit, janë të paligjshme”.

Familja Compaore ka kërkuar me të drejtë “kthimin mbrapsht të shumave që u janë marrë padrejtësisht nga Administrata publike”. Për këtë arsye, ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë duhet t’i japin gjithsej 500 euro, plus interesat, si dhe të paguajnë të gjitha shpenzimet gjyqësore.

Këtë radhë është fjala vetëm për 500 euro, rimbursime të tjera pak a shumë të kësaj natyre kërkohen edhe nga gjyqet e tjera të hapura nga Inca dhe Cgil. Por në të vërtetë për shtetin, shuma që mund t’i kërkohet të rimbursojë është vërtet shumë e shumë herë më e madhe se kaq: mjafton të mbajmë parasysh që është llogaritur se taksa e padrejtë mbi lejet e qëndrimit u ka kushtuar imigrantëve rreth gjysmë miliardi euro.

Qeveria vazhdon të bëjë të dy veshët shurdhë, ndoshta i duket më e udhës t’u kthejë paratë mbrapsht imigrantëve vetëm kur këtë gjë ia urdhëron gjykata. Në Napoli u hap një rrugë nga e cila vështirë se ka kthim mbrapa.

Elvio Pasca