Të huajt e parregullt. Sanksione më të ashpra për ata që i punësojnë, por lejeqëndrimi mbetet një mirazh - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Vetëm kush shfrytëzohet egërsisht, padit dhe bashkëpunon mund të marrë leje qëndrimi. Ja çfarë parashikon dekreti legjislativ i miratuar nga qeveria

Romë, 21 prill 2012 – Mbërrijnë sanksione më të ashpra për ata që punësojnë imigrantë të parregullt, por këta të fundit vetëm nëse shfrytëzohen veçanërisht shumë, nëse padisin punëdhënësit dhe bashkëpunojnë me autoritetet e drejtësisë do të mund të marrin një leje qëndrimi. Për të gjithë të tjerat, zgjidhja e vetme mbetet dëbimi.

Këshilli i Ministrave ka miratuar më 16 prill një skemë dekreti për të përvetësuar direktivën evropiane 2009/52/CE mbi “normat minimale lidhur me sanksionet dhe masat ndaj punëdhënësve që punësojnë qytetarë të vendeve të treta qëndrimi i të cilëve është i parregullt”. Duke lexuar tekstin mbi të Dhoma e Deputetëve dhe Senati duhet të shprehin një mendim, kuptohet se sa pak të huaj, ndër qindra mijëra punonjës të huaj “të padukshëm” mund të kenë ndonjë fitim prej dekretit.

Në Itali, t’i japësh punë një të huaji që nuk ka leje qëndrimi të vlefshme është prej kohësh vepër penale e ndëshkuar nga Teksti unik për imigracionin me arrestin nga 3 muaj në 1 vit dhe me gjobë prej 5.000 eurosh për çdo punonjës të punësuar. Këtij ndëshkimi i shtohen edhe sanksionet administrative për shkeljen e detyrimeve në rrogë, taksa e kontribute.

Skema e dekretit parashikon që të gjithë ata që janë dënuar (edhe jo përfundimisht) për këtë vepër penale nuk do të mund të sjellin në Itali punonjës të huaj me flukset, pra përjashtohen nga e drejta e përfitimit të kuotave. Për më tepër, duhet të paguajnë një gjobë të re sa “kostoja mesatare e riatdhesimit të punonjësit të huaj të marrë në punë në mënyrë të parregullt”, para që do të shërbejnë për të financuar riatdhesimet, por edhe projektet për integrimin.

Ministria e Punës duhet të kryejë kontrolle “të përshtatshme dhe efikase” në sektorët më në rrezik (dhe nuk kuptohet se si do t’ia bëjnë me punën shtëpiake) dhe të referojnë çdo vit rezultatet pranë Komisionit Europian. Kur të zbulohen marrëdhënie të parregullta, do të konsiderohet se zgjasin prej të paktën tre muajsh, nëse nuk provohet e kundërta, për të llogaritur diferencën në rrogë, taksa dhe kontribute që do të paguajë punëdhënësi.

Qeveria dëshiron të fusë është një rrethanë rënduese për rastet e shfrytëzimit të veçantë të punonjësve të huaj të parregullt. Në fakt, dënimet rriten me një të tretën deri me gjysmën nëse punonjësit e parregullt janë më shumë se tre, nëse janë të mitur me moshë nën 16 vjeç ose nëse detyrohen të punojnë në “kushte rreziku të rëndë”, duke mbajtur parasysh “karakteristikat e detyrave që kryhen dhe kushtet e punës”.

Dhe vetëm në këto raste të fundit, me propozim ose me mendim të favorshëm të Prokurorisë, nëse punonjësi do të padisë punëdhënësin dhe do të bashkëpunojë gjatë procesit, ai do të mund të marrë një leje qëndrimi për motive humanitare. Do të zgjasë gjashtë muaj dhe do të mund të konvertohet në leje qëndrimi për punë nëse ndërkaq i huaji gjen një tjetër punësim, këtë herë, natyrisht të rregullt.

Nëse dekreti legjislativ mbetet kështu siç është, duket se nuk do të ketë asnjë “legalizim të punonjësve të huaj në masë”. Qeveria e di mirë këtë gjë, siç shpjegon relacioni që shoqëron tekstin: “numri i lejeve të qëndrimit lëshuar punonjësve të huaj të shfrytëzuar “do të jetë faktikisht i pandjeshëm”.

Skema e dekretit legjislativ për aktualizimin e direktivës 2009/52/CE që sjell në fuqi në Itali normat normat minimale lidhur me sanksionet dhe masat ndaj punëdhënësve që punësojnë qytetarë të vendeve të treta qëndrimi i të cilëve është i parregullt

Relacioni ilustrativ, relacioni teknik, ATN e AIR

Elvio Pasca